Arrestimi i një shtetasi ukrainas në lindje të Gjermanisë, i dyshuar për spiunazh në shërbim të Moskës, u vlerësua si një arritje nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
Kreu i qeverisë gjermane theksoi se vendi duhet të përgatitet për një shtim të rasteve të kësaj natyre gjatë periudhës së ardhshme.
Të lidhura
None found
“Gjermania po përballet me një veprimtari të dendur spiunazhi. Fakti që ia dolëm ta zbulonim këtë rast është një sukses, por nuk duhet të kemi iluzione: inteligjenca ruse mbetet shumë aktive në territorin gjerman”, deklaroi Merz.
Personi i dyshuar u vu në pranga në landin e Brandenburgut, i cili rrethon Berlinin. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme Federale, ai mendohet se ka përdorur lidhjet e tij në sektorin europian të mbrojtjes për të marrë të dhëna me karakter ushtarak.
Hetimet tregojnë se shtetasi ukrainas ka komunikuar me shërbimet sekrete ruse nëpërmjet një ndërmjetësi që prej të paktën korrikut të vitit 2025. Ai dyshohet se ka mbledhur informacione për prodhimin e tankeve, municioneve dhe lëndëve plasëse, si dhe për trupat dhe objektet ushtarake në pika kyçe për sigurinë e krahut lindor të NATO-s.
Ky arrestim vjen në një moment kur Gjermania, një prej mbështetësve më të mëdhenj ushtarakë të Ukrainës, ka ngritur nivelin e vigjilencës ndaj rritjes së episodeve të sabotimit dhe spiunazhit që i ngarkohen Moskës.
Që prej fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, autoritetet gjermane kanë arrestuar në mënyrë të përsëritur individë të dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë, përfshirë edhe gjatë vitit aktual.






