Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dhënë urdhër për mbylljen e Bregut Perëndimor të pushtuar, pas një sulmi me armë zjarri në një pikë kontrolli ushtarake, ku dy palestinezë plagosën pesë izraelitë.
Autoritetet izraelite bënë të ditur se dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, ushtria izraelite vendosi një rrethim të plotë të qytetit të Hebronit.
Të lidhura
None found
Vetë Netanyahu konfirmoi se u kishte kërkuar Forcave të Mbrojtjes së Izraelit që të përgatiteshin për mbylljen e tërësishme të Çisjordanisë, duke filluar që nga dita e sotme. Megjithatë, ende nuk është sqaruar se kur do të hyjë në fuqi kjo masë dhe sa kohë do të qëndrojë në fuqi.
Në një njoftim të ushtrisë thuhet se dy palestinezët u vranë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, forcat izraelite po kryejnë kontrolle në zonë për të gjetur persona të tjerë që mund të kenë lidhje me sulmin. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse të plagosurit janë ushtarë apo civilë.
Sulmi ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve në Izrael, të parat që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Këto zgjedhje përbëjnë një provë të rëndësishme politike për Netanyahun, i cili është përpjekur ta paraqesë veten si një udhëheqës të vendosur në çështjet e sigurisë.






