Shasivari: Partneriteti me SHBA-në, thelbësor për forcimin e reformave në drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi një takim me ushtruesen e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e SHBA-së, Nicole Varnes. Diskutimet u përqendruan te reformat prioritare në sektorin e drejtësisë dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Shasivari deklaroi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara përbën një mbështetje të rëndësishme për proceset reformuese, veçanërisht në konsolidimin e sundimit të ligjit dhe përballjen me korrupsionin e krimin e organizuar.

Të lidhura

None found

Sipas tij, gjatë takimit u trajtua në mënyrë të veçantë ndryshimi i legjislacionit penal, si dhe roli i ekspertizës amerikane në këtë proces. Në fokus ishte gjithashtu digjitalizimi i drejtësisë dhe rritja e kapaciteteve të institucioneve.

Ministri shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, duke përfshirë edhe projektin për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat, i cili financohet nga Byroja INL e Departamentit Amerikan të Shtetit. “Vazhdojmë bashkëpunimin për rezultate konkrete dhe një sistem drejtësie më funksional, të pavarur dhe efikas”, shkroi Shasivari në Facebook.


Shtuar më 23.10.2026 13:48