Tërmet 5.0 në Siçili, pasohen nga tre lëkundje të tjera/ Gjykata e Trapanit evakuohet

Një lëkundje me magnitudë 5.0 tronditi Siçilinë, ndërsa intensiteti i saj u ndje në një zonë të gjerë, nga Palermoja e deri në Katania, si edhe në Ishujt Eolianë.

Sipas të dhënave, goditja kryesore ndodhi në orën 12:19 dhe kishte si epiqendër Detin Tirren jugor, në veriperëndim të Ishujve Eolianë, pranë Alicudit.

Të lidhura

None found

Zona u godit më pas nga tre lëkundje të tjera. Një prej tyre, me magnitudë 4.0, u regjistrua në orën 12:24, ndërsa një tjetër arriti magnitudën 4.3. Gjatë natës, në orën 01:56, ishte shënuar edhe një tërmet me magnitudë 3.6.

Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) bëri të ditur se lëkundja më e fuqishme u ndje qartë në Palermo. Banorët dolën në rrugë, mes tyre edhe punonjës të selisë së Departamentit Rajonal të Çështjeve Familjare.

Dridhjet u perceptuan gjithashtu në Trapani, ku gjykata u evakuua pas tërmetit të orës 12:19. Deri në këtë moment, nuk janë raportuar dëme materiale ose të lënduar.


Shtuar më 23.10.2026 13:42