Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaron se protestat qytetare dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, janë procese që mund të ecin paralelisht.
Sipas tij, qytetarët po kundërshtojnë përqendrimin e pushtetit te individi, korrupsionin, praninë e krimit të organizuar në jetën publike, pabarazitë ekonomike dhe ndarjet e thella shoqërore. Bushati vlerëson se adresimi i këtyre problemeve është i domosdoshëm për avancimin e vendit drejt BE-së.
Të lidhura
None found
Duke komentuar fjalët e kancelarit gjerman Friedrich Merz, ai shprehet se mesazhi i tij përbën “një të vërtetë të thjeshtë”, e cila, sipas Bushatit, zhvlerëson argumentet që anashkalojnë arsyet themelore të krizës shqiptare.
Reagimi i Ditmir Bushatit:
Kancelari gjerman Merz përcolli një mesazh të thjeshtë, por domethënës, që rrëzon një pjesë të konsiderueshme të pretendimeve të hedhura në debatin publik për të shmangur diskutimin mbi shkaqet reale të krizës ku ndodhet vendi.
I. Protestat e forcojnë perspektivën europiane
Demonstratat qytetare nuk bien ndesh me procesin e anëtarësimit në BE. Përkundrazi, ato synojnë të sjellin ndryshime në fusha ku hapja dhe mbyllja e kapitujve europianë nuk ka dhënë ende rezultatet e kërkuara. Bëhet fjalë për personalizimin ekstrem të pushtetit, pranimin si normal të korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike, pabarazitë ekonomike dhe polarizimin e shoqërisë.
Këto protesta nuk mund të trajtohen vetëm si një çështje e brendshme shqiptare. Procesi i integrimit europian është fokusuar pikërisht te shteti i së drejtës, korrupsioni, kapja oligarkike e shtetit, krimi i organizuar dhe dobësia e institucioneve. Kërkesat e protestuesve për ndryshim prekin drejtpërdrejt këto problematika, ndërsa thirrjet për llogaridhënie shërbejnë si një shtysë për rrugëtimin europian të Shqipërisë.
II. Dhuna nuk mund të sjellë zgjidhje
Situata nuk mund të kapërcehet përmes dhunës apo përdorimit brutal të forcës nga policia. Si aktet e dhunshme, ashtu edhe veprimet e strukturave të sigurisë, duhet t’i nënshtrohen hetimit të pavarur nga drejtësia. Për një vend kandidat që synon anëtarësimin në BE, garantimi i shtetit të së drejtës mbetet një parim themelor.
III. Arsyet pse protestat shqiptare dallojnë nga ato europiane
Në një pjesë të Europës janë shfaqur protesta studentore, të shoqëruara nga një ndjenjë e fortë zymtësie. Ato pasqyrojnë gjendjen e një kontinenti që kërkon një drejtim të ri, ndërsa përballet me plakjen e popullsisë, rritjen e borxhit dhe tkurrjen e politikave të mirëqenies për shkak të shtimit të shpenzimeve për mbrojtjen.
Çështja e emigracionit po e ndan gjithnjë e më shumë shoqërinë europiane. Në të njëjtën kohë, kontinenti po has vështirësi për të ndjekur ritmin e zhvillimeve teknologjike që pritet të formësojnë të ardhmen. Qeveritë nuk po ofrojnë përgjigje bindëse për të rinjtë, të cilët ndihen të humbur përballë kësaj gjendjeje.
Shqipëria përballet me shkaqe të tjera revolte. Pakënaqësia lidhet me një brez të rritur mes skandaleve të pafundme, vështirësive të shumta dhe të njëjtëve drejtues politikë. Ky brez ka lindur dhe është formuar duke parë të përsëriten të njëjtat probleme, pa marrë përgjigje për to. Pikërisht për këtë arsye, ai kërkon të krijojë një drejtim të ri për Shqipërinë.







