Luis Figo mendon se kalimi i lojtarëve nga Barcelona te Real Madridi, apo anasjelltas, është bërë tejet i vështirë për shkak të kostove marramendëse të futbollit modern.
Portugezi kaloi nga klubi katalanas te skuadra madrilene në vitin 2000, për 62 milionë euro. Në atë kohë, kjo shumë përbënte rekord botëror.
Të lidhura
None found
Prej vitesh nuk është përsëritur një lëvizje e tillë mes dy gjigantëve të La Ligës. Figo shpjegoi se një pengesë kryesore janë klauzolat e larta të lirimit dhe shumat e mëdha të përcaktuara në kontratat e lojtarëve.
“Është e vështirë të imagjinohet që një futbollist të kalojë nga Real Madridi te Barcelona ose në drejtimin e kundërt, sidomos pas asaj që ndodhi me mua. Sot klauzolat e lirimit janë jashtëzakonisht të larta. Shifrat në kontrata janë thjesht të çmendura”, u shpreh fillimisht Figo.
Ai sqaroi se një transferim i tillë nuk mund të quhet krejtësisht i pamundur, por vlerësoi se asnjëri prej klubeve zor se mund ta përballojë financiarisht.
“Për shembull, Barcelona aktualisht nuk mund të shpenzojë shuma kaq të mëdha për transferime. Mendoj se kjo është shumë e vështirë”, përfundoi ish-ylli i të dy skuadrave.






