“Dialogu është utopi, Rama po përgatitet për më shumë represion”/ Bushati: Nuk e mban dot diktatori karrigen ndryshe

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, deklaroi se ftesa e Ramës ndaj studentëve për dialog, është pa ndonjë vlerë dhe se nuk ekziston vullneti për dialog.

Bushati tha se Rama për të mbajtur pushtetin do të bëhet akoma edhe më represiv, pasi “diktatori nuk e mban dot karrigen duke zbutur regjimin”.

Të lidhura

None found

“Këtu nuk ka asnjë vullnet për dialog. Rama vë fletën në dialog, ata i hedhin karriget. Çfarë ndodhi në 130 ditë, që ata qytetarë kaluan nga flamingot dhe lulet, te gurët dhe molotovët?

Një lider i përgjegjëshëm në demokraci, dëgjon edhe kur nuk dialogon. Reflekton edhe kur nuk dialogon. Çfarë ndodhi në Shqipëri? Mbani mend parrullat e tyre?

“Shqipëria nuk është në shitje”, “Shqipëria, jo e një njeriu”, “Rama në burg, Berisha në burg, Balluku në burg”. Çfarë panë ata njerëz? Panë që kur thërrisnin Balluku në burg, këta jo vetëm e mbanin Ballukun, por siç tregoi Fiks Fare, Balluku drejtonte gjysmën e qeverisë. Ky quhet reflektim apo përdhunim? Çfarë panë ata njerëz? Kur i thua nuk është Shqipëria në shitje dhe e një njeriu, mu si për inat, të mbin edhe një kullë te Parku Rinia.

Çfarë panë ata njerëz? Panë që ndërkohë që kërkonin çik më shumë demokraci, të dilte që ish këshilltarja e Ramës, e cila ishte bërë edhe shefe e SHISH, jo vetëm ia merrte në gojë Gysit, por vinte aparatin e sigurisë në favor të Gysit. Si të reagojë një njeri që del me lule? Të hapin gojën për Gysin? Apo të marrin gurët dhe molotovët?

Ky është problemi real. Po ta shohësh nga ana e Ramës, a i duhet dialog? A duhet të reflektojë për ato që i thanë flamingot? Absolutisht jo. Nuk ka diktator që mund të mbijetojë duke zbutur regjimin. Një diktator nëse do të mbajë karrigen, shkon vetëm drejt forcimit të regjimit. Prandaj pamë në rrugët e Tiranës që vijnë makina të blinduara të sapo blera, sepse po përgatietim për fazën e dytë që duhet më shumë represion. Dialogu është vetëm utopi”, tha Bushati.


Shtuar më 22.10.2026 23:25

Tags: ,