Milot Avdyli lider i Celjes në barazimin me RB Salzburgun

Milot Avdyli vazhdon të tregojë formë të lartë me Celjen, pavarësisht se këtë sezon po aktivizohet në rolin e mbrojtësit, edhe pse pozita e tij natyrale është ajo e sulmuesit të krahut.

Futbollisti nga Vushtrria e nisi nga minuta e parë përballjen e Ligës së Evropës kundër RB Salzburgut, në një ndeshje ku Celje riktheu rezultatin nga 0-2 në 2-2.

Të lidhura

None found

Gjatë gjithë takimit, Avdyli ishte aktiv në zona të ndryshme të fushës dhe dha kontribut të rëndësishëm në të dyja fazat, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.

Platforma “SofaScore” e vlerësoi paraqitjen e tij me notën 7.8, më e larta e ndeshjes. Kjo notë ishte edhe mbi vlerësimet e Kramer, Kitanos dhe Kucysit, të cilët shënuan golat e skuadrës.

Avdyli fitoi 10 duele, realizoi dy ndërhyrje dhe rikuperoi topin shtatë herë gjatë kësaj sfide.

Paraqitjet e tilla pritet t’i shërbejnë edhe Kosovës, pasi Franco Foda ka bërë të ditur se llogarit në të. Trajneri e aktivizoi Avdylin në tri ndeshjet e Ligës së Kombeve.