Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, vlerëson se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të thellë kushtetues, institucional dhe politik. Sipas tij, largimi i kryeministrit Edi Rama, më vete, nuk do të zgjidhte problemet e sistemit politik.
Në një reagim të gjatë publik, ai shprehet se protestat e studentëve kanë evidentuar domosdoshmërinë e ndryshimeve rrënjësore në mënyrën e marrjes, ushtrimit dhe kontrollit të pushtetit.
Të lidhura
None found
Ndër propozimet e tij janë kufizimi i mandateve të kryetarëve të partive, demokratizimi i proceseve zgjedhore brenda forcave politike, rishikimi i sistemit zgjedhor dhe rritja e kontrollit parlamentar mbi qeverinë.
“Protestat e studentëve po shpërthejnë digën e fundit të tranzicionit, që rrjedhën e lirë të demokracisë e ka kthyer në kënetën e autokracisë. Regjimi dhe sistemi antikushtetues i Edi Ramës duhet të rrëzohet patjetër!”, shkruan Bylykbashi.
Ai argumenton se ndërrimi i qeverisë duhet të pasohet nga riformatimi i sistemit kushtetues dhe institucional, për të parandaluar përqendrimin e pushtetit nga një individ ose parti e vetme.
“Shqipërisë i duhet një transformim kushtetues, institucional dhe politik që të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si fitohet, ushtrohet, kontrollohet dhe humbet pushteti”, thekson ai.
Një pjesë e rëndësishme e platformës së propozuar prej tij lidhet me organizimin e partive politike. Bylykbashi kërkon që drejtuesit partiakë të kenë mandate të kufizuara dhe të japin llogari për rezultatet, por edhe për dështimet e tyre politike.
“Kolegjialiteti duhet të dominojë mbi pushtetin e NJËSHIT. Kryetarët e partive duhet të kenë mandate të kufizuara dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet dhe dështimet politike. Koncepti i vjetëruar i liderit me mision e të pazëvendësueshëm duhet të marrë fund e të zëvendësohet nga ai i kryetarit me mandat dhe llogaridhënie”, shprehet Bylykbashi.
Nënkryetari i PD-së kërkon edhe anulimin e sistemit zgjedhor parlamentar të miratuar në vitin 2020 dhe zëvendësimin e tij me një model që siguron proporcionalitet kombëtar. Ai propozon që qytetarët të zgjedhin në mënyrë të personalizuar deputetët, përmes zonave njëemërore ose listave të hapura.
Sipas Bylykbashit, Kuvendi duhet të jetë më i pavarur nga ekzekutivi dhe deputetët nuk duhet të reduktohen në zbatues të udhëzimeve të kryetarëve të partive.
“Parlamenti nuk duhet të jetë noter i qeverisë. Një ligj nuk mund të miratohet sa hap e mbyll sytë. Duhet të forcohet roli dhe pesha e deputetit të zgjedhur nga populli në procesin ligjvënës, përballë qeverisë, por edhe përballë partisë së tij”, shkruan ai.
Ai kërkon gjithashtu ndryshime në ligjin për referendumet, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë mundësi për të marrë vendime të drejtpërdrejta për çështje me interes publik.
Për qeverisjen vendore, propozimi i tij është që kryetarët e bashkive të zgjidhen vetëm nëse marrin mbi 50 për qind të votave, ndërsa anëtarët e këshillave bashkiakë të përzgjidhen përmes listave të hapura.
Bylykbashi e konsideron të domosdoshme edhe ndarjen e shtetit nga partitë politike dhe krimi i organizuar. Në këtë kuadër, ai kërkon ndalimin e patronazhimit politik përmes institucioneve shtetërore, transparencë në financimin e partive dhe zhvillimin e një procesi të ri dekriminalizimi.
“Ka ardhur koha për Dekriminalizim 2.0. Jo vetëm personat e dënuar për krime, por edhe ata që kanë lidhje të provuara me krimin e organizuar, që mbështeten prej tij apo kërkojnë mbështetjen e tij, nuk duhet të kenë mundësi të zgjidhen apo emërohen në institucione kushtetuese ose publike”, thekson nënkryetari i PD-së.
Një tjetër propozim i tij është verifikimi dhe pastrimi i Policisë së Shtetit nga drejtuesit dhe efektivët e përfshirë në veprimtari kriminale ose në shkelje të të drejtave të qytetarëve. Ai kërkon që përgjegjësitë të individualizohen dhe të përcaktohen në përputhje me ligjin.
Reagimi i Bylykbashit përfshin edhe kërkesa për një drejtësi të pavarur, mbrojtjen e pronës private, kompensimin e ish-pronarëve, trajtimin e ish-të përndjekurve politikë, forcimin e lirisë së medias dhe krijimin e mundësive për përfshirjen e diasporës në zhv







