Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së reagoi pasi presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për Specialen, me kërkesë të PDK-së.
OVL-UÇK u bëri thirrje partive parlamentare që të mos e shndërrojnë këtë çështje në mjet për përfitime partiake.
Të lidhura
None found
Në reagimin e saj, organizata tha se po e ndjek me shqetësim debatin për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas saj, ligji lidhet drejtpërdrejt me luftën e UÇK-së dhe me ish-udhëheqësit e saj që po gjykohen në Hagë, të cilët në shkallën e parë u dënuan me vendime që OVL-UÇK i konsideron të papranueshme, të padrejta dhe krejtësisht politike.
Organizata bëri të ditur se, sipas ekspertëve juridikë që e mbështesin, nuk ka pengesa ligjore për miratimin e ndryshimeve dhe se vendimi varet vetëm nga vullneti politik.
OVL-UÇK kundërshtoi gjithashtu pretendimet se përfshirja e çështjes së faljes për krime lufte është antikushtetuese. Sipas organizatës, ligji aktual për Dhomat e Specializuara i trajton shprehimisht faljen dhe zbutjen e dënimit, duke ia dhënë këtë kompetencë drejtpërdrejt Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Duke vënë në dukje se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë shprehur gatishmëri për ta votuar ligjin, OVL-UÇK tha se propozimet për dispozita të reja nuk duhet të përdoren për ta zvarritur apo bllokuar procesin.
Organizata kërkoi që, nëse ligji rikthehet në Kuvend, ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme të bëhen pa vonesë dhe të miratohen me procedurë të përshpejtuar. Në të kundërt, ajo paralajmëroi përshkallëzim të veprimeve dhe protestave në mbrojtje të kërkesave të veteranëve dhe të luftës çlirimtare.




