Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, paraqiti sot para deputetëve të Komisionit të Financimit dhe Buxhetit Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026. Dokumenti parashikon përshtatjen e projeksioneve buxhetore me kushtet e reja ekonomike, rezultatet e arritura gjatë vitit dhe ritmin real të realizimit të shpenzimeve.
Gjatë prezantimit të saj, ministrja deklaroi se ribalanci i dytë vjen si një përgjigje e nevojshme ndaj pasigurisë në ekonominë globale, tensioneve gjeopolitike dhe luhatjeve në tregjet e energjisë, të cilat kanë ndikim në zhvillimet ekonomike dhe në të ardhurat e buxhetit.
Të lidhura
None found
“Me ribalancin e dytë të Buxhetit për vitin 2026, i harmonizojmë projeksionet me zhvillimet reale ekonomike, realizimin e deritanishëm dhe efektet e masave të ndërmarra gjatë vitit. Kjo është qasje e përgjegjshme në kushte pasigurie, që t’i korrigjojmë projeksionet aty ku e kërkon realiteti, t’i ulim shpenzimet aty ku ka hapësirë për racionalizim, por njëkohësisht t’i ruajmë mjetet për detyrimet ligjore, shërbimet shëndetësore, mbrojtjen sociale dhe projektet prioritare zhvillimore”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Sipas ndryshimeve të propozuara, të ardhurat e përgjithshme buxhetore do të arrijnë në 374.2 miliardë denarë, ose rreth 5.3 miliardë denarë më pak se projeksioni i mëparshëm. Në të njëjtën masë reduktohen edhe shpenzimet e përgjithshme, të cilat planifikohen në 420.5 miliardë denarë. Ndërkohë, deficiti buxhetor mbetet në nivelin 46.3 miliardë denarë, që përbën 4.1% të PBB-së.
Për vitin 2026, rritja ekonomike vijon të projektohet në 3.5%.
Në zërat e të ardhurave, ndryshimi më i madh lidhet me akcizat, të cilat rishikohen nga 34.1 në 30.4 miliardë denarë. Ky reduktim vjen si pasojë e masave për uljen e akcizave për karburantet. Sa u përket shpenzimeve, ribalanci synon përdorim më racional dhe më efikas të fondeve publike.
Një ulje parashikohet edhe te shpenzimet kapitale, për shkak të shtyrjes së afateve të realizimit për disa projekte dhe nivelit më të ulët të të ardhurave nga burimet vetanake, donacionet dhe huatë.







