Në seancën gjyqësore ndaj 13 zyrtarëve policorë, të akuzuar për moszbatimin e planit të veprimit në diskotekën “Pulse”, dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja folën për praninë e policisë para dhe pas zjarrit. Njëri prej tyre tregoi se, duke qenë i mitur, u largua nga lokali pasi u njoftua për një kontroll policor pak para shpërthimit të zjarrit. Një tjetër deklaroi se, pas incidentit, kishte parë policët të ndihmonin në evakuimin e personave dhe në pastrimin e hapësirës.
Dëshmitari i parë rrëfeu se kishte mbërritur në diskotekë rreth orës 1:15 të mëngjesit, por ai dhe shokët e tij dolën jashtë pasi mësuan se policia po kryente një kontroll.
Të lidhura
None found
“Kamerieri erdhi dhe na tha se kishte policë jashtë”, deklaroi ai, duke sqaruar se në atë çast ndodhej bashkë me miqtë pranë derës.
Sipas dëshmisë, një polic i ndaloi te hyrja dhe u mori të dhënat personale. Në të njëjtin moment, nga brenda lokalit u dëgjua njoftimi se kishte rënë zjarr.
“Dikush nga brenda bërtiti se kishte rënë zjarr dhe oficeri i policisë na tha të largoheshim me vrap nga vendi”, tha dëshmitari. I pyetur nëse polici që i kishte identifikuar ndodhej në sallën e gjyqit, ai drejtoi gishtin nga i akuzuari Marjan Radevski.
Dëshmitari pohoi se arsyeja e largimit të tyre nga diskoteka ishte fakti që ishin të mitur dhe kishin kuptuar se jashtë kishte policë.
Kur u pyet nëse do të kishin qëndruar në lokal në rast se nuk do të kishte prani policore, ai u përgjigj se po.
Dëshmitari i dytë tha se mbrëmjen e ngjarjes e kishte nisur në kafenenë “Bulevar”, ndërsa më vonë, së bashku me miqtë, ishte drejtuar për në diskotekën “Pulse”, ku mbërritën rreth orës dy të mëngjesit.
Ai tregoi se pranë hyrjes kishte parë disa persona të lënduar të shtrirë në tokë dhe se, në bashkëpunim me policët, ndihmoi në zhvendosjen e tyre për të krijuar hapësirë te hyrja.
“Marjani na kërkoi ta lironim hyrjen nga shkallët”, deklaroi dëshmitari, duke shtuar se e kishte ndihmuar atë të zhvendoste disa persona anash./Telegrafi/



