Blendi Fevziu ka bërë një analizë të situatës familjare dhe sociale të fëmijëve që janë përfshirë në përplasjet gjatë protestave, duke u ndalur te kushtet në të cilat, sipas tij, janë rritur një pjesë e tyre.
Gjatë emisionit “Opinion”, gazetari tha se fëmijët që shihen duke qëlluar me gurë kanë shpesh një profil të ngjashëm familjar, me baballarë të larguar në emigracion dhe nëna që punojnë që në orët e para të mëngjesit për të siguruar jetesën.
Të lidhura
None found
Sipas tij, këta të mitur janë rritur kryesisht me njëri-tjetrin, pa pasur gjithmonë praninë dhe kujdesin e vazhdueshëm të prindërve. Ai e lidhi këtë realitet me vështirësitë ekonomike dhe sociale që përballojnë familje të caktuara. “Fëmijët që gjuajnë me gurë, pothuajse kanë të njëjtën tipologji. Babai ka shkuar në emigrim. Nënën nuk e shohin se shkon në pikë të mëngjesit në punë”, u shpreh Fevziu.
Më tej, theksoi se bëhet fjalë për fëmijë që janë detyruar të përballen herët me vështirësitë e jetës, pa mundësitë që mund të kenë bashkëmoshatarët e tyre për përkujdesje dhe aktivitete jashtëshkollore.
“Janë fëmijë që janë rritur me njëri-tjetrin, pa prindërimin normal që ti të kujdesesh dhe t’i çosh në kurse. Janë njerëz që duhet ta çajnë vetë jetën e tyre dhe nuk kanë rrugë tjetër”, deklaroi gazetari.







