Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të gjitha vendet pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit të zbatojnë marrëveshjet e arritura, duke vënë theksin te përgjegjësia e Serbisë, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për njohjen e diplomave.
Kurti e bëri deklaratën në Shën Stefan të Malit të Zi, ku po merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili mbahet më 22 tetor.
Të lidhura
None found
Sipas kryeministrit, Kosova i ka përmbushur zotimet e veta, pasi ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet e këtij procesi.
“Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet e Procesit të Berlinit, përfshirë atë për njohjen e diplomave. Të gjitha palët duhet t’i zbatojnë ato, edhe fqinji ynë verior, Serbia”, shkroi Kurti në Facebook.
Komenti i tij u bë pas takimit me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, të parin që Kurti zhvilloi në margjinat e samitit. Gjatë bisedës, ai i kërkoi Komisionit Evropian të mbështesë në mënyrë proaktive marrjen e statusit të vendit kandidat nga Kosova dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Më 3 nëntor 2022, në samitin e Procesit të Berlinit në Berlin, u nënshkrua marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë. Në të njëjtën kohë u firmosën edhe marrëveshjet për udhëtimin e lirë me letërnjoftim dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve e arkitektëve. Marrëveshjet u arritën pas afro dy vjetësh bisedimesh mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kuvendi i Kosovës i ratifikoi tri marrëveshjet në shkurt 2023, ndërsa Kuvendi i Serbisë veproi njësoj më 28 prill të po atij viti. Me ratifikimin, të dyja shtetet i morën zyrtarisht përsipër detyrimet; kërkesa e Kurtit lidhet me zbatimin konkret të tyre.
Njohja e diplomave mes Kosovës dhe Serbisë mbetet çështje e pazgjidhur prej vitesh. Në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e Brukselit, palët ranë dakord për dy marrëveshje, përkatësisht në vitet 2011 dhe 2016. Raportimet e mëhershme kanë bërë të ditur se marrëveshja e vitit 2016 nuk u zbatua dhe certifikimi i diplomave u pezullua.







