Partia Popullore Evropiane (EPP), grupimi më i madh politik në Bashkimin Evropian, ka shprehur shqetësimin për situatën dhe protestat në Shqipëri. Në deklaratën e saj, ajo vuri në fokus të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe veprimet e forcave të rendit.
EPP kërkoi që liria për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet dhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës të hetohen plotësisht.
Të lidhura
None found
“Protesta paqësore është një e drejtë që duhet respektuar plotësisht. Çdo pretendim për përdorim të forcës së tepruar duhet të hetohet, ndërsa organet ligjzbatuese duhet të veprojnë gjithmonë në mënyrë proporcionale.”
Sipas partisë, ulja e tensioneve në vend duhet të mbështetet te dialogu dhe pjesëmarrja demokratike, jo te represioni apo dhuna shtetërore.
“Tensionet e tanishme duhet të adresohen përmes dialogut, de-përshkallëzimit dhe angazhimit demokratik. Demokracia nuk nënkupton imponimin e ndryshimeve me dhunë; ajo kërkon dëgjim, respekt dhe ndërtimin e një të ardhmeje paqësore.”
Në mesazhin përmbyllës, EPP tha se perspektiva e Shqipërisë lidhet me institucione që japin llogari dhe me drejtësi funksionale.
“E ardhmja e Shqipërisë është në një rrugë demokratike, prosperuese dhe evropiane, me qeveri llogaridhënëse, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe mundësi për të ardhmen brenda vendit.”
Reagimi nga Brukseli i shtohet thirrjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës ndaj protestuesve dhe të rinjve në Tiranë, duke shtuar trysninë ndaj ekzekutivit për respektimin e standardeve evropiane.







