Publicisti Rexhep Shahu ka dhënë një deklaratë për “Bota sot”, ku ka komentuar protestat në Shqipëri dhe e ka vënë theksin te përgjegjësia e kryeministrit Edi Rama për situatën politike dhe ekonomike të vendit.
Shahu i ka kërkuar Ramës të ndërpresë çdo dorë të huaj që kërkon të destabilizojë Shqipërinë.
Të lidhura
None found
“Preje dorën e huaj që destabilizon vendin, Edi Rama. Preje dorën e huaj që po ta shkatërron dhe destabilizon Shqipërinë, zoti Rama. Preje dhe shpëtoje Shqipërinë dhe veten tënde. Ose mos llomotit dokrra”, tha ai.
Ai shtoi se u ishte lutur protestuesve, si qytetar, që të hiqnin maskat dhe të mos dilnin me to, sepse nuk dëshiron as ndryshim pushteti nga maskat, as pushtet maskash. Sipas tij, nuk do të donte as rini studentore a gjimnazistë me maska në protestë, sepse ato mbjellin frikë; megjithatë, vuri në dukje se shumica e gjimnazistëve i vendosin maskat për t’u fshehur prej policisë, e cila, me maskë e pa maskë, u shkon natën në shtëpi për kontrolle.
Ai theksoi se nuk i do as policët me maska, as policët civilë me maska, as patronazhistët e truprojat me maska, sepse nuk e do shtetin me maska.

Po ashtu, Shahu tha se nuk i do as islamikët me maska, as gratë ose burrat e fshehur pas perçeve e xharrave të zeza, pas maskave të frikshme. Ai sqaroi se nuk është kundër shamive, sepse nënat tona kanë mbajtur gjithë jetën shami të bardha, por ato nuk e kanë fshehur fytyrën e sytë. Sipas tij, më mirë kriminelët pa maska sesa kriminelët me maska.
Publicisti kërkoi gjithashtu që shteti të ndërhyjë me të gjitha forcat për të mbrojtur selinë dhe flamurin e selisë së shenjtë të Vatikanit nga çdo dorë krimi, me ose pa maska. Ai kujtoi se shqiptarët janë popull i Biblës dhe se Vatikani është mbrojtësi i yni.
Shahu kërkoi po ashtu ndërhyrje me forcë në mbrojtje të ambasadës së Izraelit dhe hodhi poshtë si ligësi pretendimet se izraelitët na kanë pushtuar ose se ato janë të padukshme e vijnë prej ajri. Ai tha se me Izraelin e lidh fati dhe Kosova.
Ai kritikoi edhe trajtimin që qeveria e Ramës i bën opozitës dhe protestave, duke i bërë thirrje propagandës qeveritare që të mos e shpallë PD-në armike.
Sipas tij, në thelb opozitarizmin e ka PD-ja, por kjo protestë po merr benzinë që në krye nga parti të vogla të majta që synojnë pushtetin. Ai përmendi frymëzime për një pushtet tjetër të majtë, për të mbarsur një parti të re komuniste, për pushtet jashtë parlamentit e aventura banale.
Megjithatë, Shahu theksoi se protestën e frymëzon më shumë makutëria dhe pangopësia e hajdutëve që ushqejnë qeveria dhe vetë Edi Rama.
Ai tha se nuk dihet se sa peng e ka lënë veten kryeministri Rama, por aferat e mëposhtme trazojnë edhe të vdekurit. Sipas tij, më shumë se çdo dorë e huaj, protestën e frymëzon administrata e tij, varfëria, shëndetësia që quhet falas me lekë nën dorë, shkolla pa mësues, shkretimi i vendit dhe qafëtrashët e pushtetarëve.
Në fund, Shahu renditi 28 çështje dhe projekte për të cilat ngriti akuza për keqpërdorime dhe dëme ndaj qytetarëve shqiptarë:
1. Inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit; 2. Dosja 5D; 3. Tuneli i Llogarasë; 4. Tenderët e AKSHI-t; 5. Unaza e Madhe në Tiranë; 6. Rruga e Arbrit; 7. PPP-të; 8. Gjyqi Becchetti; 9. Dëmshpërblimet nga vendimet e GJEDNJ; 10. Koncesioni Check-up; 11. Koncesioni i sterilizimit; 12. Koncesioni i laboratorëve; 13. Hekurudha Tiranë – Durrës – Rinas; 14. Porti i Durrësit; 15. Koncerti Kaney West; 16. Kayo dhe Timak Defence; 17. Smart city; 18. Gjoba 120 ml euro e falur për Bankers Petrolium; 19. Air Albania e falimentuar; 20. Aeroporti i Vlorës (Bexheti si Beketi dhe vaj medet buxheti); 21. Tigri 1 dhe Tigri 3; 22. Fondet IPARD; 23. Arbitrazhet e tjera ndërkombëtare; 24. Shpenzimet për konsulenca; 25. Fondet e Propagandës; 26. Dhënien e bregdetit për ndërtime; 27. Dhënien 4-5 herë më shtrenjtë një km udhë; 28. Mbi një milionë shkollarë universitarë profesionistë të Shqipërisë të dëbuar nga atdheu dhe të legalizuar në Europë në dekadën e pushtetit të mafies së Edi Ramës.
Ai përfundoi se beson që Edi Rama, duke qeverisur me klan personal, është bërë e shkuar për Shqipërinë, për “Bota sot”.







