Kurti i kërkon BE-së hapa konkretë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit.

Kurti bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se biseda u përqendrua te reformat, procesi i integrimit evropian dhe masat që duhet të ndërmerren për ta çuar Kosovën përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Të lidhura

None found

Sipas tij, funksionimi i plotë i institucioneve do t’i mundësojë Kosovës përshpejtimin e reformave. Ai përmendi edhe miratimin, javën e kaluar, të ligjit të fundit për integrimin në SEPA, i cili pritet t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se së shpejti do të nisin negociatat për “Roam like at Home”, me synim përfshirjen e Kosovës në zonën pa tarifa shtesë.

Kurti theksoi se progresi demokratik i Kosovës, angazhimi për vlerat e përbashkëta dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të shoqërohen me vendime konkrete nga institucionet evropiane.

Ai vlerësoi si të rëndësishme dhe të domosdoshme mbështetjen proaktive të Komisionit Evropian për marrjen e statusit kandidat dhe nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, Kosova ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave. Sipas Kurtit, zbatimi i tyre duhet të bëhet nga të gjitha palët, përfshirë fqinjin verior të Kosovës, Serbinë.


Shtuar më 21.10.2026 19:47