Një numër i madh pedagogësh dhe përfaqësuesish të trupës akademike iu bashkuan sot marshimit studentor. Ata e cilësuan të drejtë kërkesën e të rinjve dhe thanë se, në vend që të qëndrojnë në auditore të zbrazëta, duhet të jenë pranë tyre në shesh.
Sipas pedagogëve, vendimi për t’iu bashkuar protestës erdhi pas asaj që e përshkruan si dhunë shtetërore të paprecedentë ndaj fëmijëve të tyre. Ata pretenduan se sjellja e policisë ishte e pashembullt dhe se efektivët shkelën protokollet profesionale, duke ekspozuar të rinjtë ndaj gazit dhe duke hyrë edhe në lokale, ku ushtruan dhunë arbitrare.
Të lidhura
None found
Akademikët iu referuan edhe protestave të vitit 2018, kur, sipas tyre, kryeministri zhvilloi bisedime me studentët, por nuk përmbushi asnjë premtim. Ata thanë se gjatë kësaj periudhe ka pasur vetëm monolog dhe jo dialog, ndaj u kërkuan studentëve të mos ulen në bisedime. Sipas tyre, diskutimet e gjera për të ardhmen mund të zhvillohen vetëm pasi kryeministri të japë dorëheqjen.
Pedagogët dhe qytetarët e pranishëm në marshim përcollën mesazhe të forta politike, duke u bërë thirrje njerëzve të mos heshtin dhe të mos bëhen skllevër të bukës së gojës. Ata e cilësuan këtë çast vendimtar për Shqipërinë dhe thanë se të rinjtë tashmë e kanë marrë fatin e vendit në duart e tyre.
Protestuesit deklaruan se “diktatorët rrëzohen, nuk dorëhiqen”. Ata i quajtën kukulla ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e policisë, ndërsa i kërkuan policisë të mos luftojë kundër popullit të vet për të mbrojtur një diktator.






