Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe deputeti Klevis Balliu ka hedhur akuza të forta ndaj niveleve më të larta të qeverisjes, duke e cilësuar veprimin e Policisë së Shtetit gjatë protestave si një shfaqje dhune makabre në funksion të pushtetit politik.
Në një deklaratë për mediat, Balliu paralajmëroi se përdorimi i mjeteve joletale dhe shkopinjve të gomës po rrezikon seriozisht jetën e të rinjve që kanë dalë në rrugët e kryeqytetit për të protestuar.
Të lidhura
None found
Deputeti opozitar u ndal te rastet e forcës shtypëse të ushtruar në rrugë dhe brenda ambienteve të paraburgimit, duke tërhequr vëmendjen për pasoja të rënda shëndetësore mbi qytetarët:
“Të rinj dhe të reja janë goditur barbarisht në rrugët e vendit me shkopinj gome dhe plumba gome, duke vënë në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e tyre. Rasti i raportuar ku një qytetar u plagos në zonën abdominale nga një plumb gome është një kambanë alarmi për përmasat e rrezikut që sjell përdorimi i dhunës nga uniformat e shtetit.”
Balliu denoncoi po ashtu dhunën e raportuar brenda komisariateve dhe shoqërimet pa mbështetje ligjore:
“Po aq të rënda janë dëshmitë për dhunë ndaj qytetarëve brenda komisariateve. Është e papranueshme që qytetarët të ndalohen arbitrarisht në rrugë, pa një bazë të qartë ligjore. Rasti i dy të rinjve të ndaluar në zonën e Tajvanit ngre pikëpyetje serioze për ligjshmërinë e veprimeve policore, veçanërisht pas intervistës që ata kishin dhënë vetëm dy orë më parë.”
Përfaqësuesi i opozitës theksoi se efektivët nuk mund të mbulohen pas eprorëve dhe kërkoi hetim të plotë të zinxhirit komandues që dha urdhrat për shpërndarjen me forcë të turmës:
“Kush i jep këto urdhra dhe kush mban përgjegjësi për dhunën? Përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas maskave dhe uniformave. Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla duhet të japin përgjigje publike për qëndrimet e tyre. Urdhrat për këto veprime vijnë nga nivelet më të larta të pushtetit, askush nuk mund të pretendojë se nuk mban përgjegjësi.”
Ai shtoi se uniforma nuk përbën mbrojtje për shkelësit e ligjit: “Çdo efektiv që shkel ligjin duhet të identifikohet dhe të mbajë përgjegjësi individuale. Uniforma nuk është imunitet për dhunën dhe urdhrat nuk janë justifikim për veprime të paligjshme. Është turp dhe përmbysje e çdo standardi të drejtësisë që studentët që protestojnë të përfundojnë pas hekurave, ndërsa Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla janë ende të lirë.”
Në mbyllje të reagimit, Balliu i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të ndërhyjnë pa vonesë për hetimin e pavarur të çdo incidenti të regjistruar gjatë ditëve të demonstratave:
“Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj protestuesve, identifikimin e efektivëve përgjegjës, hetimin e pavarur të çdo rasti të dhunës dhe lirimin e çdo personi të ndaluar në mënyrë të paligjshme. Studentët nuk janë armiq të shtetit. Armiku i shtetit të së drejtës është çdo pushtet që përdor institucionet publike për të shtypur qytetarët dhe për t’iu shmangur llogaridhënies — ky armik ka emër dhe quhet Edi Rama.”




