Khvicha Kvaratskhelia u ka përcjellë tifozëve një mesazh të ndjerë pas dëmtimit të rëndë të pësuar në ndeshjen mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve.
Futbollisti gjeorgjian është shprehur i vendosur ta përballojë periudhën e gjatë të rikuperimit, pavarësisht dhimbjeve dhe lotëve, me synimin për t’u kthyer në fushë më i fortë se më parë.
Të lidhura
None found
Në një postim të publikuar në Instagram, ylli i PSG-së rrëfeu tronditjen që i shkaktoi lëndimi, i cili pritet ta lërë për një kohë të gjatë jashtë fushave. Ai tha se para çdo takimi i lutej Zotit që ta ndihmonte ta përfundonte ndeshjen pa u dëmtuar.
“Nuk ka kaluar ende shumë kohë, por një pyetje më rikthehet vazhdimisht në mendje: pse pikërisht unë? Për këtë lojë kam dhënë gjithçka dhe ndoshta për këtë ndeshje isha përgatitur më shumë se për çdo tjetër në jetën time. Besoja se isha gati për çdo situatë, por jo për këtë”, shkroi Kvaratskhelia.
Ai bëri të ditur se po përpiqet ta shohë atë që ndodhi si pjesë të një fati të caktuar nga Zoti.
“E pranoj se Zoti më zgjodhi mua për ta kaluar këtë dhe, nëse dëmtimi im ka ndihmuar në mbrojtjen e lojtarëve të tjerë që ndodheshin në fushë, atëherë jam gati t’i kaloj muajt e ardhshëm duke punuar, duke përballuar dhimbjen dhe lotët”, deklaroi ai.
Kvaratskhelia nënvizoi se do të bëjë gjithçka për t’u rikthyer në nivelin më të lartë, në shenjë mirënjohjeje ndaj tifozëve që e kanë mbështetur në këtë periudhë të vështirë.
“Duhet të rikthehem më i fortë se më parë për të gjithë tifozët që nuk janë larguar nga unë. Ju premtoj se nuk do t’ju zhgënjej dhe se do të jap çdo gjë, pa kursyer asnjë përpjekje, qoftë edhe për një moment të vetëm”, u shpreh ylli i Paris Saint-Germainit.
Në përmbyllje të mesazhit, futbollisti gjeorgjian falënderoi të gjithë për përkrahjen dhe shprehu bindjen se takimi me tifozët do të ndodhë së shpejti.
“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. Shpresoj të shihemi sërish shumë shpejt”, përfundoi Kvaratskhelia.//






