Familjarët kundërshtojnë dënimin 10-vjeçar të Millorad Gjokoviqit: Kërkohet drejtësi edhe për viktimat e Ozdrimit

Dëshmitari Halit Gashi ka reaguar kundër vendimit për dënimin me 10 vjet burgim të Millorad Gjokoviqit, i shpallur fajtor për krime lufte ndaj popullsisë civile. Ai ka kërkuar që në shqyrtimin e apelit të përfshihen edhe vrasjet e civilëve shqiptarë në Ozdrim të Pejës.

Pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Gashi deklaroi se asnjë dënim nuk mund t’ua rikthejë jetën viktimave. Sipas tij, aktakuza nuk i ka përfshirë vrasjet për të cilat familjarët kërkojnë drejtësi, raporton Ekonomia Online.

Të lidhura

None found

“Jeta e njerëzve që u vranë padrejtësisht nuk kthehet me asnjë dënim, por zbulimi i së vërtetës është detyrim ndaj gjakut të tyre. Familjet Krasniqi, Shalë, Morina, Gashi e Husaj kanë humbur njerëzit e tyre, por emrat e tyre nuk u përmendën në aktakuzë. Aty janë përfshirë vetëm 40 persona të burgosur dhe të maltretuar, ndërsa për vrasjet nuk pati asnjë ditë dënim. Kjo nuk është drejtësi”, tha Gashi.

Ai bëri të ditur se vendimi do të dërgohet në apel dhe u bëri thirrje institucioneve vendore e ndërkombëtare që të angazhohen në trajtimin e rastit.

“Nuk e kuptoj se çfarë dënimi është ky. Është qesharake. Ku është drejtësia, ku janë vrasjet dhe ku janë kufomat? Ne u kemi bërë obduksionet. Do ta dorëzojmë menjëherë ankesën në apel. Ftoj përfaqësuesit kombëtarë dhe ndërkombëtarë të marrin pjesë në këtë proces, në mënyrë që të shihet se ku qëndron çështja”, u shpreh ai.

Gashi vlerësoi angazhimin e Prokurorisë, por kërkoi hetimin dhe ndriçimin e rasteve të tjera të vrasjeve, të cilat, sipas tij, ndodhën gjatë ofensivës në Ozdrim më 7 maj 1999.

“Prokuroria ka bërë punë të mjaftueshme, por rastet e vrasjeve duhet të zbardhen. Bëhet fjalë për 14 persona të vrarë, mes tyre pleq, të rinj dhe të reja, njerëz të pafajshëm që duhet të marrin drejtësi. Një djalë 18-vjeçar u mor i plagosur në spital, u dërgua 12 kilometra larg, në Lutogllavë, dhe u varros atje. Ne i kemi gjetur viktimat, janë kryer ekspertizat dhe i kemi të gjitha faktet, provat e dëshmitë. I bëj thirrje faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë të merren me këtë lëndë dhe me gjenocidin e kryer në Ozdrim më 7 maj 1999”, tha ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli Millorad Gjokoviqin fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e dënoi me 10 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli.


Shtuar më 21.10.2026 15:24