Rreth 30 mijë besimtarë u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, për të takuar Papa Leone XIV, pavarësisht shiut dhe motit të pafavorshëm. Ati i Shenjtë drejtoi audiencën e tij të parë të përgjithshme pas operacionit në mushkëri dhe shprehu mirënjohje për lutjet e mbështetjen, duke bërë të ditur se do të rikthehet gradualisht në veprimtaritë e tij.
Papa, i buzëqeshur dhe në gjendje të mirë, përshkoi sheshin e Vatikanit me papamobilin e bardhë, ndërsa përshëndeti pelegrinët që kishin ardhur për ta pritur. Gjatë rrugës, ai u ndal pranë fëmijëve dhe i bekoi, ndërsa turma e duartrokiti.
Të lidhura
None found
Zyra e shtypit e Vatikanit bëri të ditur se në audiencën e përgjithshme morën pjesë rreth 30 mijë besimtarë, përfshirë kardinalë dhe peshkopë.
“Gjëja e parë që dua t’ju them është faleminderit për mbështetjen përmes lutjeve tuaja. Falënderojmë Zotin për bujarinë e tij. Le ta ripërtërijmë të gjithë besimin tonë në mirësinë dhe mëshirën e Zotit”, tha Leoni XIV në nisje të audiencës.
Papa, 71 vjeç, iu nënshtrua më 13 tetor një operacioni për heqjen e lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë, pasi u diagnostikua me adenokarcinomë pulmonare.
Pas daljes nga spitali Gemelli në Romë, ai kishte njoftuar se do t’u kthehej angazhimeve hap pas hapi. Audienca e kësaj të mërkure ishte e para që prej 7 tetorit dhe u mbajt sipas programit të zakonshëm.






