Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millorad Gjokoviqin për krime lufte ndaj popullsisë civile dhe i ka shqiptuar dënimin prej 10 vjetësh burgim, raporton Ekonomia Online.
Aktgjykimi u shpall nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli.
Të lidhura
None found
Sipas vendimit, Gjokoviqi është shpallur fajtor për veprimet e kryera më 7 maj 1999, gjatë luftës në Kosovë, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës. Ai, në cilësinë e policit rezervë dhe së bashku me persona të tjerë, kishte shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Në bazë të dispozitave të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, gjykata e ka dënuar me 10 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Më 27 korrik të këtij viti, trupi gjykues kishte vendosur ta rihapte shqyrtimin gjyqësor, pasi në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ishte gjetur deklarata e dëshmitares Nurije Krasniqi.
Krasniqi kishte deklaruar se dëshminë për këtë rast e kishte dhënë në polici pas përfundimit të luftës, megjithëse nuk kishte qenë në gjendje ta kujtonte datën e saktë.
Asokohe, Donika Shala-Abdyli kishte thënë se gjykata vlerësonte se nuk ishin përfunduar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove.
Aktakuza e Prokurorisë, e hartuar më 23 qershor 2023, e ngarkonte Gjokoviqin se gjatë viteve 1998-1999, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, në Ozdrim të Pejës dhe në fshatrat përreth kishte kryer veprime ndaj civilëve shqiptarë.
Veprat për të cilat akuzohej përfshinin vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, si dhe dëbimin e deportimin e dhjetëra civilëve.
Gjokoviqi akuzohej edhe për plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile shqiptare.
Në aktakuzë përshkruhet se forcat e rregullta ushtarake serbe kishin hyrë në fshat nga pjesa veriore, përmes rrugës rajonale Pejë–Mitrovicë. Ndërkaq, nga ana perëndimore, në kufi me Vitomiricën, kishin hyrë grupe paramilitare, ku bënin pjesë edhe pjesëtarë të njësive speciale ushtarake.
Prokuroria pretendonte se këto forca kishin shtënë me armë në drejtim të civilëve, duke vrarë gjashtë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.
Tre civilë të tjerë, A.G., H.G. dhe M.G., të cilët ishin plagosur nga të shtënat, fillimisht ishin dërguar në Spitalin e Pejës. Sipas aktakuzës, ata më pas ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.
Gjatë ofensivës ishin vrarë edhe pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh. Trupat e tyre nuk janë gjetur dhe ata vazhdojnë të figurojnë si persona të zhdukur.





