Reporterët pa Kufij: Të paktën 12 gazetarë u dhunuan gjatë protestave në Shqipëri, kërkohet hetim parlamentar

Të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias, janë përballur me sulme fizike gjatë raportimit nga protestat e zhvilluara në Shqipëri në periudhën 13–19 tetor.

Reporterët pa Kufij (RSF), bëjnë të ditur se në pjesën më të madhe të rasteve janë përfshirë punonjës të policisë. Krahas dhunës, janë evidentuar edhe intimidime, pengesa ndaj raportimit dhe dëmtime të mjeteve të punës së gazetarëve.

Të lidhura

None found

Organizata ndërkombëtare kërkon hetime të pavarura, vënien para përgjegjësisë të autorëve dhe zbatimin e masave që synojnë mbrojtjen e gazetarëve.

RSF i ka bërë thirrje edhe Parlamentit shqiptar të analizojë mënyrën se si kanë reaguar autoritetet gjatë protestave.

Raporti i RSF-së evidenton 28 raste dhune, frikësimi ose përpjekjesh për të ndaluar informimin gjatë 13–19 tetorit, ku janë prekur të paktën 23 profesionistë të medias.

Në të paktën 10 episode është përdorur drejtpërdrejt forcë fizike, përmes goditjeve, shqelmave, shtyrjeve apo largimit me forcë nga hapësirat ku gazetarët po kryenin detyrën.

Gazetarët kanë denoncuar gjithashtu marrjen ose përpjekjet për t’u marrë telefonat, fshirjen e videove dhe dëmtimin e pajisjeve profesionale. Disa prej tyre kanë pësuar edhe dëmtime nga mjetet e përdorura nga policia për shpërndarjen ose kontrollin e turmave.

Pavol Szalai, drejtuesi i Byrosë së RSF-së në Pragë, deklaroi se gazetarët duhet të mund të regjistrojnë veprimet e policisë pa u sulmuar apo penguar në punën e tyre.

“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë sjelljen e policisë pa u rrahur, shtyrë, ndaluar ose penguar në ndonjë mënyrë tjetër nga filmimi”, deklaroi Szalai.

Szalai i kërkoi kryeministrit Edi Rama, të heqë dorë nga deklaratat që, sipas RSF-së, nxisin frikësimin e medias kur raporton protestat.

Organizata i kërkoi Bashkimit Evropian të shqyrtojë, se si po zbatohen në praktikë angazhimet e Shqipërisë për lirinë e medias, në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Rastet e raportuara gjatë protestave

Të dhënat e publikuara nga RSF dhe organizatat e gazetarëve tregojnë se më 18 tetor janë shënuar disa episode dhune ndaj punonjësve të medias.

Fotoreporteri Hameraldi Agolli, bashkëpunëtor i Associated Press, u ndalua me forcë nga policia, ndërsa Renaldo Salianji, gazetar i News24, u godit fizikisht. Taulant Kopliku i SYRI TV tha se një efektiv e kishte goditur në shpatull dhe i kishte marrë telefonin; pajisja iu kthye me pamjet e fshira.

Gjatë raportimit të drejtpërdrejtë për një zjarr pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, gazetari Marshi Korreshi u godit në shpinë me një helmetë dhe u shty. Elkier Bushkolaj pësoi një dëmtim në këmbë nga një predhë gome, ndërsa Juljan Hoxha dhe fotoreporteri Felix Bilani thanë se ishin goditur nga punonjës policie.

Mes rasteve të bëra publike është edhe ai i gazetares së Klan News, Glidona Daci. Sipas Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë, ajo u godit me gurë në një incident që organizata ia atribuon efektivëve të policisë.

Reuters raportoi se gjatë përleshjeve të 17 tetorit në Tiranë, dy gazetarë të agjencisë u goditën nga fishekë gome.

Më 13 tetor, Izmir Akulli, kryeredaktor i portalit Dosja.al, përfundoi në spital pas dhunës fizike pranë Bankës së Shqipërisë. Në dëshminë e publikuar prej tij, ai tha se disa efektivë e goditën me grushte dhe shqelma teksa po filmonte ndërhyrjen e policisë ndaj një studenti.

Mbrëmjen e 19 tetorit, gazetari i News24, Osman Stafa, si edhe punonjës të tjerë të medias, u penguan nga policia të ndiqnin dhe të filmonin shoqërimet e protestuesve në rrugicat pranë Rrugës së Dibrës në Tiranë.

Hetime dhe kërkesa për zbatimin e masave mbrojtëse

Në një deklaratë të publikuar më 18 tetor, Rrjeti SafeJournalists bëri të ditur se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte nisur shqyrtimin e pretendimeve për sjellje të pahijshme dhe se shtatë efektivë ishin pezulluar. Megjithatë, nuk është sqaruar nëse këto masa lidhen drejtpërdrejt me dhunën e raportuar ndaj gazetarëve.

Më 14 tetor, organizata të lirisë së medias dhe të shoqërisë civile, përfshirë RSF-në, kërkuan që të zbatohej tërësisht Udhëzuesi i Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, i miratuar në maj 2025.

Organizatat kërkuan hetime të pavarura për dhunën dhe pengimin e raportimit, si dhe zhvillimin e një seance të posaçme dëgjimore në Parlamentin shqiptar. Sipas RSF-së, edhe pas këtij apeli janë regjistruar incidente të tjera.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të publikuar nga Reporterët pa Kufij, Shqipëria renditet në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve.