BYD synon rimëkëmbjen e shitjeve me shtatë modele të reja në fund të vitit 2026

Shtatë modele të reja do t’i shtohen ofertës së prodhuesit kinez të veturave BYD në tremujorin e katërt të vitit 2026. Përmes këtyre prezantimeve, kompania synon të shtojë shitjet dhe të konsolidojë praninë në një treg automjetesh ku konkurrenca po intensifikohet.

Kjo lëvizje pason një tkurrje të shitjeve të BYD-së. Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, në mbarë botën u shitën gjithsej 3,13 milionë automjete të kompanisë, ose rreth 3,94 për qind më pak se në periudhën përkatëse të vitit të kaluar.

Të lidhura

None found

Informacionet e bëra publike nga gazetarët e agjencisë Cailian Press tregojnë se oferta e re do të shtrihet nga veturat e përdorimit të përditshëm, me çmime rreth 13 mijë e 500 euro, deri te superveturat tërësisht elektrike me çmime mbi 130 mijë euro.

Mes modeleve që pritet të kenë rol kryesor është Dahan EV. Sedani elektrik, i pozicionuar në klasën e mesme dhe të lartë, u drejtohet familjeve dhe përdoruesve të biznesit, ndërsa çmimi paraprak i tij varion nga rreth 33 mijë deri në 40 mijë euro.

Për tetorin ose nëntorin parashikohet edhe prezantimi i gjeneratës së tretë të SUV-it Tang. Ndërkaq, në gamën Ocean do të hyjë gjenerata e dytë e Seagull, e konceptuar kryesisht për qarkullim urban dhe udhëtime të shkurtra. Në vend të katër ulëseve, ky model tani do të ofrojë pesë.

Gamës Ocean do t’i bashkohet gjithashtu Seal 07. Ky sedan elektrik me karakter sportiv do të garojë në segmentin e veturave elektrike sportive.

Fangchengbao, markë tjetër e grupit BYD që po regjistron rritje të shpejtë të shitjeve, ka në plan të sjellë dy modele të reja deri në mbyllje të vitit. Bëhet fjalë për Titanium 9 dhe Shark, me këtë të fundit që është një kamionetë hibride e karikueshme nga jashtë.

Në kategorinë luksoze spikat Denza Z, i prezantuar gjatë vitit 2026 në Festivalin e Shpejtësisë në Goodwood, në Britani të Madhe. Për këtë model janë parashikuar tri variante: një kupe me çati fikse, një kabriolet dhe një version për pistat e garave.

Në këto rrethana, tre muajt e fundit të vitit shihen si përcaktues për BYD-në. Sipas analistëve, kompania pritet të ruajë vëllimin e shitjeve duke u mbështetur te veturat familjare dhe modelet me çmime më të përballueshme, ndërsa oferta e segmentit të lartë pritet të kontribuojë në shtimin e fitimeve dhe në forcimin e vlerës së markës.


Shtuar më 21.10.2026 10:46

Tags: ,