Donald Trump u përfshi në një debat të tensionuar me Andrew Feinberg, korrespondentin e gazetës britanike “The Independent”, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan e paralajmëroi gazetarin me tone të ashpra.
Përplasja ndodhi në një aktivitet ku Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës prezantuan një projektligj që synon t’u japë qytetarëve mundësinë të marrin kompensim financiar nëse raportojnë mashtrime.
Të lidhura
None found
Feinberg i bëri një pyetje presidentit, i cili reagoi menjëherë: “Nuk e di kush dreqin je, por më mirë ki kujdes”. Shkëmbimi u filmua dhe pamjet u shpërndanë në rrjetet sociale.
Debati vazhdoi kur gazetari kërkoi përgjigje për planet që lidhen me rindërtimin e një fushe publike golfi në Uashington. Trump iu përgjigj duke i kërkuar të heshtte.
“Hesht. Hesht! Çfarë ke?”, tha presidenti amerikan.
Më pas, Trump e vuri në dyshim gjendjen e gazetarit, duke i thënë: “Je çmendur? Vërtet mendoj se diçka nuk shkon me ty”.
Ky episod shënon një tjetër përplasje mes presidentit amerikan dhe gazetarëve gjatë komunikimeve të tij publike me median.




