Glen Daja njofton largimin nga Dinamo: “Faleminderit për gjithçka, familja dinamovite!

Glen Daja ka bërë të ditur në rrjetet sociale se po përfundon bashkëpunimin me Dinamon, ku ka qenë ndihmës i trajnerit Ilir Daja. Pritet tashmë zyrtarizimi i tij si trajner i Elbasanit.

Të lidhura

None found

Në mesazhin e lamtumirës, Daja shkruan se po mbyll një kapitull të rëndësishëm të karrierës, pas gati dy vitesh pranë klubit kryeqytetas.

Ai falënderoi presidentin e Dinamos, Ardian Bardhi, për besimin, mbështetjen dhe respektin e treguar gjatë kësaj periudhe. Mirënjohje shprehu edhe për drejtuesit, stafin teknik, futbollistët dhe punonjësit e klubit, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre.

Daja e përshkroi Dinamon si një familje, ku ka përjetuar momente të bukura, sfida, sakrifica dhe emocione që, sipas tij, do të mbeten pjesë e kujtimeve të tij. Ai tha se largohet me respekt dhe mirënjohje për përvojat e përbashkëta dhe marrëdhëniet e krijuara.

Në përfundim, ai i uroi klubit, drejtuesve, stafit, futbollistëve dhe tifozëve dinamovitë suksese të mëtejshme dhe arritjen e objektivave që meriton një klub me histori. “Faleminderit për gjithçka, familja dinamovite!”, shkroi Glen Daja.


Shtuar më 20.10.2026 23:46