Republika e Kosovës dhe Republika Federale e Austrisë kanë përmbyllur negociatat dhe kanë parafuar marrëveshjen që rregullon bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale.
Të lidhura
None found
Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se dokumenti synon të vendosë një bazë të qartë ligjore për zhvillimin dhe lehtësimin e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar mes dy shteteve.
Marrëveshja mbulon procedurat e ekstradimit, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale, transferimin e personave të dënuar dhe forma të tjera të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.
Sipas ministrisë, zbatimi i saj pritet të përmirësojë efikasitetin në shqyrtimin e kërkesave dhe procedurave përkatëse, ndërsa do të forcojë edhe mekanizmat e përbashkët për luftimin e veprave penale me karakter ndërkufitar.
Institucioni kosovar e konsideron përfundimin e këtij procesi një zhvillim të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Austrisë.
“Finalizimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Austrisë, si dhe në forcimin e përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar dhe transnacional”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.





