Gjykata e Tiranës ka urdhëruar lirimin e 13 personave të ndaluar pas protestave të zhvilluara ditët e fundit në kryeqytet, duke u vendosur masa sigurie më të buta.
Vendimi u dha të martën, më 20 tetor, pas shqyrtimit të rasteve të arrestimeve të kryera pas tubimeve në Tiranë. Gjatë protestave pati përplasje mes pjesëmarrësve dhe Policisë, si dhe dëmtime të pronës publike e private.
Të lidhura
None found
Për 12 të hetuarit u vendos detyrimi për t’u paraqitur në prokurori. Ndërsa njërit prej tyre iu ndalua edhe afrimi te institucionet publike dhe pjesëmarrja në tubime pa autorizimin paraprak të gjykatës.
Prokuroria kishte kërkuar që dy personat me inicialet G.P. dhe R.H. të qëndronin në arrest shtëpie. Gjykata vendosi për G.P. detyrimin e paraqitjes, ndërsa për R.H. të njëjtën masë, të shoqëruar me kufizime të posaçme.
Të 13 të arrestuarit dyshohen për kundërshtim të punonjësve të Policisë së rendit publik dhe shkatërrim të pronës. Gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestimin e tyre në flagrancë, por urdhëroi lirimin e menjëhershëm, përveç rasteve kur mbahen për një masë tjetër sigurie ose vendim dënimi.
Protestat nisën më 13 tetor dhe vijuan për disa ditë në Tiranë. Në to morën pjesë studentë, gjimnazistë dhe qytetarë, të cilët ngritën shqetësime për arsimin, kostot e studimit dhe situatën politike në vend.






