Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, u ka bërë thirrje prokurorëve për rritjen e efikasitetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies, gjatë vizitave zyrtare të zhvilluara sot në tri prokurori të Kosovës.
Të lidhura
None found
Së bashku me Zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, Bahri Hyseni, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, Gashi vizitoi Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Vizitat synuan të evidentonin nga afër problemet dhe sfidat që prokurorët hasin në punën e tyre të përditshme, si dhe nevojat profesionale për të cilat mund të kërkohen zgjidhje në nivel institucional.
Gjatë takimeve, Gashi foli edhe për masat e ndërmarra që prej marrjes së detyrës, duke veçuar përpjekjet për krijimin e mekanizmave që rrisin cilësinë e punës dhe konsolidojnë integritetin e prokurorëve.
Kryeprokurori shprehu mbështetjen e plotë për prokurorët në përmbushjen e mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi prej tyre përgjegjshmëri më të madhe dhe rezultate konkrete.
Takimet janë zhvilluar në kuadër të nismës së Gashit për të vizituar të gjitha prokuroritë e Kosovës, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e funksionimit të sistemit prokurorial.




