Nëpërmjet një komunikate publike të datës 20 tetor, Gjykata e Lartë, bën të ditur se dëmtimet në mjediset dhe infrastrukturën e saj kanë penguar ecjen normale të veprimtarisë gjyqësore.
Për këtë arsye, institucioni njofton shtyrjen e seancave gjyqësore, me përjashtim të çështjeve që konsiderohen urgjente, pas dëmeve materiale dhe dëmtimit të dosjeve të shkaktuara nga zjarri i rënë gjatë protestave të 17 tetorit.
Të lidhura
None found
Sipas Gjykatës së Lartë, seancat do të mbeten të pezulluara deri në përfundimin e verifikimit të dëmeve, vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore dhe rikthimit të kushteve të nevojshme për vazhdimin e punës.
Për përballimin e situatës, institucioni ka vënë në dispozicion kapacitetet e tij njerëzore, ndërsa prioritet mbetet identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit të dëmtuar, si dhe garantimi i integritetit të dosjeve gjyqësore.
Gjykata bën me dije se palët e prekura nga kjo situatë do të njoftohen individualisht përmes të dhënave të kontaktit, ndërsa datat e reja të seancave do të publikohen në faqen zyrtare dhe kanalet e tjera të komunikimit të institucionit.
Institucioni ka kërkuar mirëkuptimin e palëve ndërgjyqëse dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, duke theksuar se rikthimi në normalitet kërkon kohë dhe kujdes për të garantuar vijimësinë e sigurt të proceseve gjyqësore.






