Biblioteka “Koço Racin” në Tetovë zgjerohet dhe shndërrohet në bibliotekë universitare

Qeveria e RMV-së miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për zgjerimin e veprimtarisë së Institucionit Nacional Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë dhe shndërrimin e saj në Bibliotekën Universitare “Koço Racin” – Tetovë. Vendimi u mor me propozim të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, njoftoi Ministria e Kulturës.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit, ky vendim përbën një hap të rëndësishëm për Tetovën në cilësinë e saj si qendër universitare, si dhe ndihmon në zhvillimin e arsimit të lartë, shkencës dhe shërbimeve bibliotekare.

Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë, si institucion nacional në fushën e kulturës, përmbush nevojat kulturore, informative dhe arsimore të qytetarëve të Tetovës dhe rajonit të Pollogut.

Zgjerimi i veprimtarisë do t’u mundësojë studentëve, profesorëve dhe studiuesve përdorim më të gjerë të fondeve dhe shërbimeve që ofron biblioteka.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit deklaroi se vijon përpjekjet për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e veprimtarisë së bibliotekës, duke vlerësuar bibliotekat si qendra të dijes, arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit kulturor./Telegrafi/


Shtuar më 20.10.2026 14:44