Pas trazirave në Francë dhe vende të tjera të Europës, policia greke ka shtuar gatishmërinë. Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit po përgatit masat për protestat e nesërme, të cilat zhvillohen në një ditë kur sindikatat e arsimit të ulët kanë shpallur grevë 24-orëshe, ndërsa ato të shkollave të mesme kanë vendosur ndërprerjen e punës.
Të lidhura
None found
Protestat do të nisin që sonte, kur studentët planifikojnë të vendosin çadra në sheshin përpara parlamentit në Athinë dhe në sheshin e Shën Sofisë në Selanik.
Përfaqësues të shoqatave studentore thonë se tubimi lidhet me vështirësitë për strehim, qiratë e larta dhe mungesën e vendeve në konvikte. Sipas tyre, për shumë familje, mbulimi i shpenzimeve për një student që jeton larg shtëpisë është bërë një barrë e rëndë.
Nesër, në protesta pritet të marrin pjesë edhe nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Mësuesit kërkojnë, ndër të tjera, paga më të larta, plotësimin e vendeve të lira dhe shkolla të sigurta. Studentët kërkojnë më shumë financim për universitetet publike dhe mbështetje për strehimin. Tubime janë njoftuar edhe në Patra dhe qytete të tjera.
Policia ka bërë të ditur se do të lejojë vendosjen e çadrave në sheshin Sintagma, por do të ndërhyjë nëse ka dhunë. Po parashikohen masa për mbrojtjen e dyqaneve dhe ambasadave, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së stacioneve të metrosë në qendër të Athinës dhe Selanikut.
Protestat dhe incidentet e dhunshme në Francë, Itali, Belgjikë dhe Shqipëri kanë shkaktuar përplasje politike edhe në Greqi. Partia e re opozitare Aleanca e Majtë Greke ka deklaruar se kjo valë protestash duhet të përhapet edhe në Greqi, por në mënyrë paqësore. Qeveria, përmes zëdhënësit të saj, kërkoi që të izolohen ata që nxisin kaos.
PASOK-u socialist u shpreh se veprimet e dhunshme të një pakice nuk duhet të përdoren për të njollosur protestat. Edhe SYRIZA dhe Partia Komuniste u kanë bërë thirrje studentëve të mobilizohen, duke theksuar se tubimet duhet të jenë masive dhe paqësore.







