Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, u ka kërkuar deputetëve të mos e bllokojnë procesin dhe të votojnë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke garantuar se institucionet do të mbajnë përgjegjësinë për zbatimin e tij.
Të lidhura
None found
Gjatë emisionit “Click plus” në TV21, ai tha se miratimi i ligjit është i rëndësishëm për shqiptarët dhe për sigurimin e përfaqësimit të drejtë, ndaj nuk duhet të mbetet peng i procedurave parlamentare apo interesave partiake.
“Jepini mundësi ligjit të votohet, ne do ta marrim përgjegjësinë për mënyrën se si do të zbatohet. Mos të mbetet peng në Kuvend, sepse kjo nuk është serioze”, deklaroi Shasivari.
Sipas ministrit, pas hyrjes së ligjit në fuqi do të krijohet një trup koordinues dhe do të hartohet metodologjia që do të udhëheqë zbatimin e tij.
“Është në të mirën e shqiptarëve që të kemi një ligj. Do ta formojmë trupin koordinues, do ta përcaktojmë metodologjinë dhe ne do ta zbatojmë. Ligjit duhet t’i jepet një shans, ndërsa ne marrim përsipër zbatimin”, u shpreh ministri.
Shasivari hodhi poshtë edhe kritikat e opozitës për përmbajtjen e projektligjit, veçanërisht pretendimin se ai nuk përfshin kuota etnike.
“Nuk është e vërtetë se nuk ka kuotë etnike, siç akuzon opozita”, theksoi ai.
Në përmbyllje, ministri i Drejtësisë deklaroi se të drejtat e shqiptarëve nuk duhet të përdoren si peng i përplasjeve politike, ndërsa siguroi se institucionet do të punojnë për garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.






