Një gjyq i rëndësishëm në Bruksel ka vënë në qendër të vëmendjes lidhjet mes një organizate kriminale belge dhe një bande braziliane të kokainës, duke ngritur dyshime për bashkëpunim në trafikun e drogës midis grupeve kriminale evropiane dhe karteleve të Amerikës Latine, raporton “The Guardian”.
Të lidhura
None found
Në orët e para të mëngjesit të 7 shtatorit, një kolonë e policisë së armatosur rëndë përshkoi rrugët e qeta të qendrës së Brukselit, duke u nisur drejt lagjes Haren në periferinë verilindore të qytetit. Efektivët kishin si objektiv adresën 22 Avenue du Bourget, një kompleks i fortifikuar me pamjen e një bunkeri ushtarak, që më parë kishte shërbyer si seli e NATO-s.
Kompleksi modernist, me arkitekturë të ashpër dhe funksionale, u ngrit me shpejtësi në vitin 1967. Aktualisht aty ndodhet salla e gjyqit Justitia, ku zhvillohen gjyqet federale belge. Në të njëjtin vend, në vitin 2022, u gjykuan autorët dhe bashkëpunëtorët e sulmeve terroriste të Parisit të vitit 2015 dhe të Brukselit të vitit 2016.
Muajin e kaluar, efektivë të pajisur me pushkë sulmi patrullonin korridoret e gjera të ndërtesës për të siguruar mbarëvajtjen e gjyqit më të bujshëm të dekadës: çështjen Bressers-Carvalho.
Për një muaj të tërë, gjyqtarët dhe një numër i madh avokatësh ndanë sallën kryesore me gazetarët dhe publikun, të ndarë nga një panel i madh xhami i blinduar. Në anën tjetër qëndronin 31 të pandehur, të rrethuar nga efektivë me fytyra të mbuluara për t’i mbrojtur nga hakmarrjet e mundshme, një pamje që të kujtonte më shumë realitetin e vendeve të prekura nga aktiviteti i mafieve.
Gjatë seancave të gjata që u zhvilluan gjatë muajit, dy prej të pandehurve u dalluan qartë nga të tjerët.
I pari ishte Flor Bressers, një belg 40-vjeçar i lindur në Lommel, një qytet me 35 mijë banorë në provincën e Limburgut. Bressers ka një profil të pazakontë për botën kriminale. I diplomuar në kriminologji në Universitetin e Lirë të Brukselit (VUB), ai njihej nga bashkëpunëtorët e tij si “Profesori” ose “Akademiku”.
Megjithatë, nofka me të cilën ai njihet më gjerësisht është në kontrast të plotë me imazhin e një njeriu të kulturuar dhe të përmbajtur: Bressers njihet kryesisht si “Prerësi i gishtave”.
Ai u arrestua në vitin 2022, ndërsa ndodhej me bashkëshorten në një degustim vere në një apartament luksoz në katin e sipërm të hotelit Renaissance Zurich Tower në Zyrih. Bressers përballet me akuza për rrëmbim, privim të paligjshëm të lirisë, zhvatje me armë zjarri dhe drejtim të një organizate kriminale.
Figura tjetër kryesore e dyshuar si pjesë e organizatës është Sérgio Roberto de Carvalho, një brazilian 68-vjeçar. Në një operacion të përbashkët të Interpolit, Europolit, Policisë Federale braziliane dhe Agjencisë Amerikane Kundër Drogave (DEA), Carvalho u arrestua më 21 qershor 2022 në një hotel luksoz me pamje nga Danubi në Budapest, kryeqytetin hungarez.

Me bazë në shtetin brazilian Mato Grosso do Sul, në rajonin kufitar mes Brazilit, Argjentinës dhe Paraguait, një prej zonave me përqendrimin më të lartë të krimit të organizuar në kontinent, Carvalho u bë i njohur në vendin e tij me nofkën “Majori”. Nofka lidhej me gradën që kishte mbajtur si oficer i policisë ushtarake, një periudhë gjatë së cilës, sipas akuzave, ai kombinoi korrupsionin me veprimtarinë kriminale.
Në Evropë, nofka e tij ishte edhe më domethënëse: “Eskobari brazilian”. Së bashku, “Prerësi i gishtave” dhe “Eskobari brazilian” janë dy të pandehurit kryesorë në një gjyq në Belgjikë të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, me në qendër një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës midis Amerikës Latine dhe Evropës.
Bressers dhe Carvalho dyshohet se kanë qenë në krye të një organizate që akuzohet për transportimin e deri në 45 tonëve kokainë drejt Evropës.
Sipas prokurorisë, ata drejtonin një strukturë kriminale shumëkombëshe që lëvizte qindra miliona dollarë përmes kompanive guaskë. Njëra prej tyre, kompania belge Kriva Rochem e specializuar në trajtimin e ujit në Antverp, i ka dhënë çështjes edhe emrin alternativ: çështja Kriva Rochem.
Paratë dyshohet se pastroheshin përmes kriptomonedhave, tregjeve financiare dhe investimeve në pasuri të paluajtshme. Ato financonin logjistikën komplekse të transportit të kokainës së prodhuar në Peru dhe Bolivi, përgjatë rrugëve të paligjshme e të vështira në Brazil, përpara se droga të kalonte Oqeanin Atlantik dhe të shpërndahej në një numër të panjohur vendesh në Evropë dhe më gjerë.
Që nga viti 2021, Bressers ishte në listën e personave më të kërkuar nga Europoli. Sipas njoftimit të agjencisë, ai kërkohej për rrëmbim, privim të paligjshëm të lirisë, zhvatje me armë zjarri dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Një çështje e mëparshme e vitit 2010 përfshinte pretendimin se ai kishte urdhëruar një akt hakmarrjeje gjatë të cilit viktimës i ishte prerë një gisht me gërshërë krasitjeje. Bressers u shpall përfundimisht i pafajshëm në vitin 2015 për mungesë provash. Megjithatë, pikërisht ky rast dyshohet se i dha nofkën “Prerësi i gishtave”.
Në vitin 2020, pesë vjet më vonë, ai u dënua në lidhje me një tjetër akt hakmarrjeje. Bëhej fjalë për rrëmbimin e një trafikanti holandez droge, i cili u rrah, u kërcënua me vdekje dhe u plagos me brisk, pasi u fajësua për zhdukjen e një ngarkese kokaine. Pas këtij rasti, Bressers u arratis dhe qëndroi në kërkim për dy vjet.
Emri i tij u shfaq gjithashtu si i dyshuar në të paktën një tjetër çështje të dhunshme, këtë herë në Guajanë, ku një tregtar orizi u vra pasi një ngarkesë e sekuestruar në zotërimin e tij përmbante kokainë. Vrasja dyshohet se u krye për të mbuluar gjurmët dhe për të penguar shkatërrimin e rrjetit kriminal të bandës. Edhe kjo çështje nuk përfundoi kurrë në gjykatë.

Sipas dokumenteve të gjykatave braziliane, ai drejtonte grupin që siguronte dhjetëra tonë kokainë të prodhuar në Peru dhe Bolivi dhe e transportonte atë përmes pjesës qendrore-perëndimore të Brazilit drejt porteve të Paranaguás dhe Natalit, nga ku droga nisej me anije drejt Evropës.
I lindur në vitin 1958 në Ibiporã, në shtetin Paraná në jug të Brazilit, Carvalho u rrit në Mato Grosso do Sul dhe u përfshi në veprimtari kriminale gjatë kohës kur shërbente si oficer policie në këtë shtet.
Në vitin 1998, ai u dënua për herë të parë me 15 vjet burg për trafik droge. Megjithatë, nga policia u përjashtua vetëm në vitin 2010.
Në vend që të vazhdonte të drejtonte operacionet e tij nga Amerika Latine, “Eskobari brazilian” u zhvendos në Evropë, fillimisht duke u fshehur në Portugali dhe më pas në Spanjë.
Sipas policisë spanjolle, ai u vendos në një vilë me vlerë 2 milionë euro në Marbella, në Costa del Sol, duke përdorur identitetin e Paul Wouter, një shtetas i pasur nga Surinami.
Nga kjo bazë në Spanjë, një qendër e njohur e trafikut ndërkombëtar të kokainës, prokurorët thonë se Carvalho koordinoi gjatë periudhës 2017–2020 një rrjet të organizuar kriminal që shtrihej në Portugali dhe Spanjë.
Rrjeti dyshohet se ishte i specializuar në kontrabandimin e drogës përmes porteve si Setúbal pranë Lisbonës dhe Leixões në veri të Portugalisë, si dhe përmes aeroportit të Lisbonës dhe porteve të Roterdamit e Antverpit.
Policia portugeze dyshonte se Carvalho kishte lidhje me Primeiro Comando da Capital (PCC), ose Komandën e Parë të Kryeqytetit, organizatën më të madhe kriminale në Brazil.

Në nëntor të vitit 2020, Carvalho u vu në rrethim por nuk u arrestua, gjatë një operacioni të koordinuar ku morën pjesë më shumë se 1.000 efektivë policie nga Portugalia, Spanja, Belgjika, Holanda, Rumania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Europoli.
Operacioni çoi në 45 arrestime dhe në sekuestrimin e më shumë se 13 milionë eurove para të gatshme, 70 makinave luksoze, 37 avionëve dhe 136 pronave të paluajtshme.
Gjatë gjyqit u bë e ditur se Carvalho dyshohet se kishte inskenuar vdekjen e tij po atë vit, duke siguruar një certifikatë vdekjeje për Wouter, i cili pretendohej se kishte ndërruar jetë nga ndërlikime të lidhura me COVID-19.
Më pas, ai u zhvendos në Budapest, ku u arrestua në vitin 2022 ndërsa përdorte identitetin e Guillermo Díaz Flores, një shtetas meksikan.
Sipas akuzave, Carvalho kishte përdorur të paktën 10 identitete të rreme përpara se të arrestohej në kryeqytetin hungarez. Në qershor 2023, ai u ekstradua në Belgjikë dhe u dërgua në një burg të sigurisë së lartë.

Në sallën e gjyqit, ai u përball sërish me “Prerësin e gishtave”, bashkëpunëtorin e tij të dyshuar, ndërsa të dy akuzoheshin për organizimin e një strukture kriminale ndërkombëtare.
Gjatë dëshmisë së tij, Bressers nuk pranoi asnjë nga akuzat dhe pretendoi se ishte viktimë e një fushate mediatike kundër tij.
“Kam ndjesinë e fortë se e gjithë kjo është orkestruar nga autoritetet”, deklaroi ai.
Mbrojtja e Bressersit po kundërshton pranueshmërinë e provave dhe ka kërkuar pushimin e çështjes. Avokati kryesor i tij, Hans Rieder, u kontaktua për një koment, por nuk kishte reaguar deri në momentin e publikimit të artikullit.
Gjatë gjyqit, mbrojtja akuzoi mediat se po krijonin “një imazh absolutisht monstruoz” për klientin e tyre.
Carvalho, i cili nuk mori pjesë në të gjitha seancat për shkak të problemeve shëndetësore, këmbënguli se ishte i pafajshëm dhe pretendoi se ishte viktimë e përndjekjes nga autoritetet federale braziliane.

“Kam pesë vjet në burg dhe askush nuk më dëgjon”, deklaroi ai gjatë një seance. “Krimet nuk i kam kryer unë, por dikush tjetër që ka të njëjtin emër me mua”.
Avokatët e Carvalhos, Frederic Thiebaut dhe Renaat Landuyt, u kontaktuan për një koment, por nuk u përgjigjën. Edhe prokurori federal belg që po trajton çështjen refuzoi të komentonte.
Seancat gjyqësore përfunduan më 9 tetor, ndërsa vendimi pritet të shpallet më 15 dhjetor. Bressers rrezikon deri në 20 vjet burg, ndërsa Carvalho mund të dënohet deri në 15 vjet.
Kartele të Amerikës Latine po zgjerojnë aktivitetin në Evropë
Gjatë dekadës së fundit, çështje si ajo Bressers-Carvalho janë shtuar ndjeshëm.
Gjatë kësaj periudhe, struktura të grupeve të trafikut të drogës nga Amerika Latine janë identifikuar nga policitë kombëtare, Europoli dhe shërbimet e inteligjencës në Portugali, Spanjë, Francë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Itali, vendet nordike, Evropën Lindore dhe Ballkan, si dhe në Afrikën e Veriut.
Këto degë të organizatave kriminale janë vendosur në Evropë përmes ndërmjetësve ose anëtarëve të karteleve të drogës, të cilët ofrojnë shërbime të specializuara për përpunimin e kokainës në Evropë.
Sipas Andy Kraag, drejtues i Qendrës së Europolit për Krimin e Rëndë dhe të Organizuar, këto shërbime përfshijnë nxjerrjen e kokainës nga materiale të ndryshme që përdoren për transportimin e saj, si dhe përpunimin e pastës së kokës së kokainës të trafikuar.
“Kriminelët e Amerikës Latine janë shumë të përfshirë në këtë aktivitet. Po shohim një rritje të pranisë së tyre në Evropë dhe një rëndësi gjithnjë e më të madhe të veprimtarisë së tyre”, thotë Kraag.
“Dikur ishte e kundërta. Tani kemi një rrjedhë në të dy drejtimet. Për dekada kemi parë kriminelë të nivelit të lartë nga Evropa të vendoseshin në Amerikën Latine. Tani, gjithnjë e më shumë, po shohim edhe kriminelë nga Amerika Latine që veprojnë në mënyrë të përhershme ose gjysmë të përhershme në Evropë”, shton ai.

Burime të nivelit të lartë në Evropë dhe Amerikën Latine bëjnë të ditur se këto grupe po zgjerojnë operacionet dhe ndikimin e tyre në ekonominë reale dhe atë dixhitale, të nxitura nga përdorimi i kriptomonedhave, kompanive të basteve dhe sektorëve financiarë e të pasurive të paluajtshme.
Sipas Juan Gabriel Tokatlian, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Di Tella në Buenos Aires dhe ekspert i krimit të organizuar në Amerikën Latine, lufta kundër drogës siç u zhvillua në Kolumbi, ku ai jetoi për 20 vjet, i bëri kartelet më të qëndrueshme dhe më të afta për t’u përshtatur. Kjo, sipas tij, shpjegon aftësinë e tyre për t’u zgjeruar përtej kufijve.
“Vitet e fundit, Evropa është bërë një vend ku konsumi i drogës është rritur veçanërisht. Nëse shihni raportet e Kombeve të Bashkuara, bëhet fjalë për një treg të rëndësishëm. Në vitet 1980, veçanërisht për sa i përket kokainës, Evropa nuk ishte një treg me rëndësi të veçantë”, thotë ai.
“Në këtë kontekst, kërkesa evropiane dhe politikat e paqëndrueshme kundër drogës, të cilat militarizojnë luftën kundër saj, por më pas bashkëjetojnë me këtë realitet, krijojnë një sërë rrethanash që përfundojnë duke fuqizuar krimin e organizuar”, shprehet Tokatlian.
Ashtu si Carvalho, dhjetëra persona të dyshuar si drejtues të organizatave kriminale, përfshirë PCC-në, Tren de Aragua, kartelin e Sinaloas, Clan del Golfo dhe Los Lobos, mbahen në burgje në të gjithë Evropën, kërkohen nga policitë kombëtare dhe Europoli, ose figurojnë në listën e kuqe të Interpolit për personat në kërkim.
Ata dyshohen për përfshirje në trafikun e kokainës drejt Evropës, trafikun e armëve dhe drogave sintetike drejt Amerikës Latine, si dhe për lidhje me organizata kriminale evropiane në Ballkan dhe me mafien italiane Ndrangheta.

Gabriel Feltran, sociolog në universitetin Sciences Po në Paris dhe drejtor kërkimesh në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS), thotë se grupe si PCC-ja dhe karteli i Sinaloas po krijojnë partneritete biznesi me organizata kriminale evropiane, përfshirë grupe në Shqipëri dhe mafien ’Ndrangheta.
Sipas tij, këto organizata blejnë kokainën drejtpërdrejt nga prodhuesit në Amerikën Latine dhe janë në gjendje ta çojnë atë deri te destinacioni përfundimtar, pa kaluar pronësia e drogës nga një ndërmjetës te tjetri përgjatë zinxhirit të furnizimit.
Feltran e përshkruan këtë model si “platformizimi” i krimit të organizuar. Ngjashëm me platformat shumëkombëshe dixhitale si Amazon, Google dhe Meta, kartelet ndërthurin infrastrukturën dhe modelet e tyre ekonomike, me synimin për të kontrolluar të gjithë zinxhirin e trafikut të drogës: nga prodhimi në brendësi të Amerikës Latine deri te shitja në rrugët e Evropës.
Kjo do të thotë se gjithçka, nga komunikimet dhe pagesat te substancat kimike pararendëse që nevojiten për prodhimin e drogës, laboratorët dhe logjistika, përqendrohet në nivelet më të larta të organizatës.
Ndërkohë, transportuesit dhe operatorët lokalë mund të punësohen, shpesh pa e ditur përmasën e vërtetë të aktivitetit kriminal, si ofrues shërbimesh me pagesë, në një mënyrë të ngjashme me drejtuesit e platformave të transportit si Uber.
Feltran shpjegon se, përpara këtij modeli të ri, trafiku i drogës mbështetej kryesisht në rrugë të caktuara dhe në disa ndërmjetës, ku secili zotëronte drogën në një fazë të zinxhirit.
Tani, sipas tij, “partnerët bashkohen në nivelet e larta, blejnë drejtpërdrejt nga prodhuesi dhe e dorëzojnë produktin drejtpërdrejt në destinacionin përfundimtar. Nuk kalojnë më përmes ndërmjetësve”.
“Pronësia e drogës nuk kalon më nga njëra dorë te tjetra. Ata përqendrojnë gjithçka, optimizojnë proceset dhe rriten shumë shpejt. Sa më shumë njerëz të përdorin shërbimet e tyre, aq më të varur bëhen prej tyre. Ky është efekti i rrjetit”, përfundon Feltran.







