Akademiku Artan Fuga ka reaguar në “Facebook” për protestat e studentëve, duke deklaruar mbështetjen e tij për të rinjtë dhe duke kundërshtuar çdo formë dhune ndaj tyre.
Sipas Fugës, studentët nuk mund të paragjykohen apo të cilësohen si të dhunshëm pa prova. Ai vlerëson se ata kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë përmirësime në aspektin ekonomik, social dhe akademik.
Të lidhura
None found
Akademiku thotë se gjatë viteve të punës me studentët ka parë tek ata më shumë vuajtje për shkak të vështirësive të jetës dhe pasigurisë për të ardhmen, sesa prirje për përdorimin e dhunës.
Për këtë arsye, ai e konsideron të padrejtë që veprimet e mundshme të individëve të veçantë t’u atribuohen të gjithë studentëve.
“Studentët kanë gjithmonë të drejtë! Ata nuk dhunojnë askënd dhe askush të mos bëjë krimin kombëtar t’i dhunojë”, shprehet Fuga.
Ai thekson se është i bindur që studentët me të cilët punon nuk janë të dhunshëm dhe nuk kanë prirje psikologjike për dhunë.
“Në të vërtetë, ndër vite kam parë me trishtim se një pjesë e madhe e tyre kanë vuajtur në heshtje për vështirësitë e jetës dhe ankthin për të ardhmen, në vend që të mobilizoheshin për të kërkuar me këmbëngulje të drejtat e tyre, të cilat janë të shumta dhe të mëdha”, shkruan ai.
Fuga vëren se, pavarësisht kritikave që mund t’u bëhen, studentët kanë vepruar kështu sepse kanë besuar, ndonjëherë edhe me një sinqeritet naiv, dhe sepse kanë treguar respekt, shpesh më të madh nga sa duhet, për vlerat themelore të shoqërisë.
Sipas tij, studentët nuk kanë interes për dhunën në shoqëri, pasi janë të aftë të konkurrojnë në mënyrë paqësore me të tjerët për të ndërtuar karrierën e tyre.
Akademiku nënvizon se as ai dhe as kolegët e tij nuk u kanë mësuar studentëve përdorimin e dhunës.
“Në vite, ata kanë qenë më shumë të vuajtur, por kurrë të dhunshëm”, deklaron Fuga.
Ai thotë se e refuzon çdo insinuatë, klishe mediatike, propagandë qeveritare apo qëndrim që, pa prova, i paraqet studentët si persona që dhunojnë në qytet, thyejnë, ndezin zjarre, kërcënojnë apo godasin policët me gurë.
Fuga shton se, edhe nëse një individ i veçantë do të ishte përfshirë rastësisht në një ngjarje të dhunshme, gjë për të cilën thotë se ende nuk ka informacion, ai nuk mund të përfaqësojë të gjithë studentët.
Sipas tij, mungesa e informacionit për një rast të tillë është e rëndë për institucionet përgjegjëse.
“Studentët nuk janë vetëm ata që presin të ardhmen; ata vetë përbëjnë të ardhmen e vendit. Ata janë shtresa më e kulturuar e shoqërisë dhe, në pjesën më të madhe, vajza që përfaqësojnë shpresën për emancipimin e shoqërisë shqiptare”, shprehet ai.
Akademiku paralajmëron se dhunimi apo ndalimi pa prova i studentëve, si dhe çdo trajtim i tyre jashtë ligjit, do të ishte i papranueshëm, i pavlefshëm dhe me pasoja të rënda shoqërore.
Ai shton se një veprim i tillë do ta prekte drejtpërdrejt atë dhe kolegët e tij, ndërsa do të dëmtonte rëndë “palcën e ADN-së së kulturës shqiptare”.
Sipas Fugës, kjo do t’i hapte kombit plagë të reja në dekada dhe do ta rëndonte edhe më tej kujtesën kolektive, e cila është dëmtuar nga dramat dhe traumat e shkaktuara gjatë historisë nga maskarenjtë, kolaboracionistët, tradhtarët e kombit, diktatorët, të çmendurit, budallenjtë me pushtet dhe tregtarët e interesave kombëtare në këmbim të një pushteti të pamerituar.
Fuga thekson se studentët duhet të dëgjohen dhe se ekzistojnë dhjetëra mënyra paqësore e të respektueshme për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre sociale, ekonomike, pedagogjike dhe politike.
Ai kërkon që këto shqetësime të merren në konsideratë nga qeverisja, politika në përgjithësi dhe stafet universitare. Sipas tij, studentët kanë të drejtë të jenë mosbesues, pasi besimi i tyre është abuzuar, ndërsa kërkesat e tyre janë lënë mënjanë përmes premtimeve boshe politike.
Akademiku thotë se ata kanë të drejtë të kërkojnë diploma cilësore, pasi diplomat dhe arritjet e tyre janë zhvlerësuar nga mekanizma të rremë dhe cinikë të promovimit shoqëror.
Sipas Fugës, politika i ka mashtruar studentët dhe nuk ka realizuar asgjë nga premtimet e bëra disa vite më parë. Ai kritikon faktin se ende nuk ekziston një statistikë për papunësinë intelektuale dhe se meritokracia nuk funksionon për të çuar më të mirët në vendet e punës.
Ai ngre gjithashtu, shqetësimin se qeverisjet nuk kanë hartuar një parashikim për profesionet intelektuale gjatë dhjetë viteve të ardhshme në vend.
Sipas tij, shoqëria shqiptare është zhveshur nga teknologjia, kultura dhe inovacioni shkencor që do të mundësonin integrimin e të diplomuarve.
Fuga shprehet se në shoqëri vazhdojnë të mbizotërojnë klani, miqësia dhe paraja si mjete për të siguruar një vend pune, ndërsa çështjet universitare mbeten të centralizuara në duart e politikës.
Ai e cilëson skandal faktin që studentëve të Tiranës u kërkohet të pranojnë konviktet në Durrës.
Sipas akademikut, kjo nuk është thelbi i problemit, por tregon nivelin e absurditetit politik dhe se sa larg ka shkuar abuzimi me shpirtin e vuajtur studentor, si dhe shkelja e të drejtave të tyre nga administrata dhe qeverisja.
“Unë përsëris atë që kam thënë publikisht ndër vite: studentët kanë gjithmonë të drejtë. Kush dëshiron t’ia shpjegoj këtë, jam gati”, përfundon Fuga.
Ai këmbëngul se studentët, si shtresë shoqërore, nuk dhunojnë askënd dhe u bën thirrje të gjithëve të mos i njollosin.
“Larg duart nga sytë, trupi, shpina dhe kyçet e duarve të studentëve!”, shprehet Artan Fuga.





