Protestat që kanë përfshirë Greqinë po shtrihen edhe në sektorin publik të arsimit. Mësues, nxënës, studentë dhe prindër kërkojnë shkolla të sigurta e funksionale, paga më të mira, plotësimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e kushteve në klasa e auditorë.
Të lidhura
None found
Federata e Mësuesve ka thirrur një grevë 24-orëshe, ndërsa sindikata e arsimit të mesëm ka njoftuar ndalesa të punës. Tubimi kryesor në Athinë do të mbahet në orën 12:00 në Propylaia, ndërsa në Selanik protesta nis në orën 11:30 pranë statujës së Venizellosit.
Mobilizimi mbarëkombëtar do të zhvillohet të mërkurën, më 21 tetor, ku në rrugë pritet të dalin mësues, nxënës dhe studentë. Ata kërkojnë financim më të madh për arsimin publik, plotësimin e stafit dhe garantimin e sigurisë në shkolla.
Një ndër shqetësimet kryesore lidhet me mungesën e mësuesve. Sipas sindikatave, rreth 15000 pozicione vazhdojnë të jenë të paplotësuara, ndonëse kanë kaluar disa javë nga nisja e vitit shkollor. Problematika është veçanërisht e theksuar në lëndët e muzikës, teatrit dhe arteve, në shkollat me orar të zgjatur, si edhe për infermierët dhe psikologët shkollorë.
Organizatat e mësuesve kundërshtojnë edhe zhvillimin e mësimit në klasa me mbi 25 ose 26 nxënës. Një tjetër kërkesë urgjente është ndërhyrja në ndërtesat e amortizuara dhe kryerja e kontrolleve sizmike. Në Samos, situata mbetet e vështirë: gjashtë vjet pas tërmetit, pesë shkolla ende zhvillojnë mësimin në kontenierë.
Përmirësimi i pagave është gjithashtu pjesë e kërkesave të protestuesve. Sindikatat kërkojnë një rritje prej 20 për qind, rikthimin e pagës së 13-të dhe 14-të, si dhe mbështetje për strehimin dhe transportin e mësuesve që punojnë larg banesave të tyre.
Nxënësit do t’i bashkohen protestave duke ngritur shqetësimet për mungesën e mësuesve, numrin e lartë të nxënësve në klasa, godinat e pasigurta dhe shpenzimet në rritje që lidhen me jetën shkollore.
Pjesë e mobilizimit do të jenë edhe studentët. Ata kërkojnë më shumë fonde për universitetet, shtim të personelit, konvikte dhe masa mbështetëse për strehimin. Studentët kundërshtojnë gjithashtu fshirjen e emrave të tyre nga regjistrat universitarë. Një natë para tubimit, ata planifikojnë të ngrenë sërish çadra në sheshin Sintagma të Athinës.






