Një valë e gjerë trazirash ka përfshirë Francën, ndërsa autoritetet po analizojnë masa shtesë për ndalimin e dhunës dhe rivendosjen e rendit në qytetet e prekura.
Të lidhura
None found
Kryeministri francez Sébastien Lecornu tha të hënën se qeveria mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme nëse përshkallëzimi i situatës e bën të nevojshme.
Pas një mbledhjeje krize me zyrtarët qeveritarë, Lecornu deklaroi se është i vendosur të rikthejë rendin dhe se përdorimi i kësaj mase nuk përjashtohet.
Megjithatë, ai vlerësoi se në kushtet aktuale një alternativë më e përshtatshme do të ishte vendosja e shtetrrethimeve lokale.
Kryeministri u ka kërkuar autoriteteve rajonale të shqyrtojnë kufizimin e lëvizjes në zona të caktuara, kryesisht me synim mbrojtjen e bizneseve nga grabitjet dhe vandalizmi.
Autoritetet franceze bëjnë të ditur se trazirat e fundjavës kanë dëmtuar të paktën 3 mijë biznese. Qeveria ka deklaruar se këto subjekte do të mbështeten përmes një fondi të posaçëm, si edhe masave të tjera për përballimin e dëmeve.
Lecornu ka kërkuar gjithashtu të qetësojë qytetarët, duke nënvizuar se dhuna nuk është shtrirë në të gjithë Francën, por është përqendruar kryesisht në disa qendra urbane.
Gjatë kësaj situate të tensionuar, ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, paraqiti dorëheqjen, me argumentin se policia kishte humbur kontrollin në disa qytete gjatë fundjavës.
Presidenti Emmanuel Macron, megjithatë, vendosi të mos e pranonte dorëheqjen e ministrit.
Nuñez njoftoi se masat kundër grabitjeve dhe akteve të vandalizmit do të fillonin të zbatoheshin që të hënën në mbrëmje. Ai bëri të ditur edhe përforcimin e pranisë së policisë dhe xhandarmërisë në terren.
Protestat e dhunshme të fundjavës erdhën pas disa javësh demonstratash studentore, të zhvilluara për kërkesa lidhur me përmirësimin e kushteve në shkolla. Përshkallëzimi ka rritur trysninë ndaj qeverisë franceze, ndërsa vendi po afrohet me zgjedhjen e pasuesit të presidentit Macron.
Lecornu akuzoi lëvizjen e së majtës ekstreme se po përpiqet të shkaktojë trazira të thella në vend përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Ndërkohë, autoritetet po përgatitin forcimin e masave të sigurisë dhe po përcaktojnë zonat ku do të vendosen kufizimet e lëvizjes.






