Serbia po vijon fushatën propagandistike kundër UÇK-së përmes filmave dhe dokumentarëve që lavdërojnë ushtrinë serbe, ndërsa lënë mënjanë krimet e luftës në Kosovë. Dokumentari i fundit i promovuar nga Ministria e Mbrojtjes në Beograd i kushtohet “Korpusit të Prishtinës: Na komandon atdheu”, një formacion ushtarak serb, dy komandantë të të cilit janë dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës.
Të lidhura
None found
Premiera e filmit u zhvillua në Nish, në praninë e zyrtarëve të lartë të Serbisë dhe ish-komandantit të korpusit, Vlladimir Llazareviq, i cili është dënuar për krime lufte të kryera në Kosovë.
Autoritetet serbe e kanë prezantuar këtë prodhim si një rrëfim për heroizmin dhe sakrificën e ushtarëve. Gjatë aktivitetit, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiq, sulmoi UÇK-në, duke e cilësuar atë si organizatë terroriste.
Ekspertët e sigurisë në Kosovë e konsiderojnë këtë qasje pjesë të përpjekjeve të vazhdueshme të Beogradit për ta deformuar historinë e luftës dhe për ta portretizuar si heroike veprimtarinë e një strukture ushtarake kriminale, drejtuesit e së cilës janë shpallur fajtorë për krime lufte.
“Kjo tregon hipokrizinë e politikës serbe, por edhe propagandën me të cilën, deri diku, kanë arritur ta bindin një pjesë të opinionit, sidomos me rastin e krijimit të Gjykatës Speciale, por edhe përmes provave të falsifikuara dhe të fabrikuara. Tani mundohen që opinionin e vet ta nxisin për një luftë të fuqishme që kanë bërë në Kosovë, por me një përfundim melankolik, pasi ata nuk ia dolën”, tha për RTK Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Edhe Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” e lidh këtë promovim të narrativave nacionaliste me orientimin politik të Serbisë. Sipas këtij instituti, Beogradi synon të përfitojë nga Perëndimi, ndërkohë që po e thellon afrimin me Rusinë.
“Diskursi nacionalist në Serbi duhet të marrë përgjigje të qartë dhe të vendosur nga ana e Perëndimit, në veçanti nga Brukseli, për shkak se Serbia do të përpiqet, si deri më tani, ta ruajë pozicionin e dyfishtë të përfitimit, duke marrë fonde nga Perëndimi dhe duke u rreshtuar gjithnjë e më shumë me Rusinë”, tha Arben Fetoshi nga Instituti “Octopus”.
Dokumentari, i prodhuar nga qendra filmike ushtarake “Zastava Film”, e trajton të ashtuquajturin “Korpusi i Prishtinës” vetëm përmes këndvështrimit të ushtrisë serbe. Në të nuk përmenden krimet dhe masakrat e forcave serbe ndaj civilëve në Kosovë. Një tjetër dokumentar i realizuar më herët në Serbi për luftën në Koshare është kritikuar gjithashtu për shtrembërimin e historisë në përputhje me qëllimet e Beogradit.




