Hansi Flick ka ndarë emocionet e tij për ecurinë e Barcelonës gjatë periudhës së drejtimit të tij, ndërsa ndodhet pranë një arritjeje të rëndësishme personale: suksesit të 100-të si trajner i klubit katalanas.
Të lidhura
None found
Tekniku gjerman veçoi mbështetjen e tifozëve, angazhimin e futbollistëve dhe klimën pozitive të krijuar në skuadër. Sipas tij, puna e bërë deri tani e ka mbushur me krenari atë dhe stafin e tij.
“Kur unë dhe stafi im erdhëm këtu, besoja se ishim gati për të nisur një rrugëtim të madh. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë rrugën që kemi përshkuar deri më tani”, u shpreh Flick.
Flick u ndal edhe te marrëdhënia e veçantë mes ekipit dhe mbështetësve të Barcelonës. Ai theksoi se dashuria dhe respekti i tifozëve lidhen me stilin e lojës, mentalitetin dhe sjelljen që skuadra shfaq në fushë.
“Respekti dhe dashuria që marrim nga tifozët e Barçës dhe njerëzit e Barcelonës janë të jashtëzakonshme. Kjo vjen edhe nga mënyra se si luajmë, mentaliteti dhe qëndrimi ynë. Sigurisht, kemi cilësi, por në fund gjithçka ka të bëjë me fitoret”, deklaroi trajneri gjerman.
Trajneri i Barcelonës vlerësoi gjithashtu paraqitjen e lojtarëve të tij, duke u shprehur i mahnitur nga përkushtimi i treguar prej tyre gjatë dy javëve të fundit. Ai nënvizoi se kjo është bërë pavarësisht lodhjes fizike pas një periudhe të gjatë të Kupës së Botës.
“Jam jashtëzakonisht krenar për këta lojtarë. Ajo që kanë bërë gjatë dy javëve të fundit është e pabesueshme. Kemi ardhur pas një Kupe të Botës që ka qenë e gjatë dhe të gjithë duan të japin maksimumin, edhe kur fizikisht nuk janë në 100 për qind të formës”, tha ai.
Flick e konsideroi atmosferën në dhomat e zhveshjes dhe bashkëpunimin mes futbollistëve si faktorë thelbësorë për suksesin e Barcelonës.
“Të shohësh se si stërviten, si punojnë së bashku dhe çfarë atmosfere kanë krijuar brenda ekipit është e jashtëzakonshme. Kjo është ajo që të nevojitet: atmosferë e mirë, cilësi në stërvitje dhe përkushtim në nivelin më të lartë. Jam shumë mirënjohës”, përfundoi Flick.






