Integrimi i platformës shtetërore e-Kosova me Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës u mundëson qytetarëve të marrin më lehtë informacione për gjobat dhe masat në trafik.
Të lidhura
None found
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se shërbimi i ri dërgon njoftime për gjobat përmes e-Kosova dhe mesazheve SMS, menjëherë pasi ato regjistrohen në sistem.
Përmes kësaj platforme, qytetarët mund të kenë qasje edhe në të dhëna më të hollësishme për gjobat dhe masat mbrojtëse të regjistruara.
Një mundësi tjetër e integruar në shërbim u lejon pronarëve të bizneseve ta shohin drejtpërdrejt në e-Kosova raportin mbi gjendjen e gjobave.
Në këtë raport pasqyrohen gjobat e papaguara, masat mbrojtëse ndaj personave fizikë, përfshirë konfiskimin ose anulimin e patentë-shoferit, si dhe pikët negative në trafik, sipas të dhënave të regjistruara në sistem.
Sipas Policisë së Kosovës, lidhja e këtyre sistemeve ka për qëllim ta bëjë më të lehtë qasjen në informacione, të forcojë transparencën dhe të përmirësojë komunikimin mes institucioneve dhe qytetarëve.
Policia u ka bërë apel qytetarëve që ta përdorin platformën e-Kosova për të kontrolluar informacionet lidhur me gjobat dhe masat në trafik.







