Shaip Kamberi, bartës i listës shqiptare në Luginën e Preshevës, ka kritikuar klasën politike të Serbisë, duke vlerësuar se ajo vazhdon të mbajë gjallë shpresa joreale për rikthimin e kontrollit mbi Kosovën.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës, Kamberi tha se politika serbe vazhdon të udhëhiqet nga mite mesjetare dhe nga një ëndërr kolonialiste. Sipas tij, në vend që të punojë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Kosovën dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës, ajo mbetet e lidhur me këto koncepte, transmeton KosovaPress.
“Ëndrra e tyre kolonialiste vazhdon ende, bashkë me shpresën e imagjinuar për ta rikthyer kontrollin mbi Kosovën, pasi sipas tyre e kanë humbur atë. E gjithë kjo shoqërohet me një politikë ku vazhdojnë të dominojnë mitet e mesjetës”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka nënvizuar se deri tani asnjë forcë politike në Serbi nuk ka hartuar një strategji të mirëfilltë për përmirësimin e raporteve me Kosovën dhe shqiptarët.
“Deri më tani, asnjë klasë politike në Serbi nuk ka pasur vizionin e nevojshëm për të menduar në mënyrë strategjike dhe për të krijuar një qasje që fillimisht do të qetësonte marrëdhëniet me Kosovën, do të përmirësonte raportet me shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe do të ndërtonte lidhje më të mira”, është shprehur ai.
Sipas Kamberit, politika serbe vazhdon të jetë e bllokuar nga e kaluara dhe nuk ka arritur të formësojë një qasje që do të ndihmonte në normalizimin e marrëdhënieve në rajon.






