Vora merr hov pas triumfit ndaj Partizanit, Bellai përgatit skuadrën për sfidat e vështira të Superiores (KALENDARI)

Fitorja 4-1 në transfertë kundër Partizanit i dha Vorës një shtysë të rëndësishme, duke i dhënë fund serisë prej pesë ndeshjesh pa sukses. Skuadra e Arjan Bellait zhvilloi një paraqitje bindëse dhe mposhti thellë të kuqtë në shtëpinë e tyre, me Bernard Karricën që spikati në mënyrë të veçantë.

Të lidhura

None found

Ky rezultat i rikthen vorakët te tri pikët pas një periudhe ku kishin regjistruar vetëm barazime dhe humbje. Vora ka shkuar në kuotën e 8 pikëve dhe renditet në vendin e 5-të të klasifikimit. Edhe pse forma e ekipit ka pasur luhatje, reagimi erdhi në një moment kur fitorja ishte veçanërisht e nevojshme.

Megjithatë, kalendari i ardhshëm nuk premton përballje të lehta. Sfidën e radhës Vora do ta luajë në Kurbin ndaj Laçit, një kundërshtar që ka arritur t’i vërë në vështirësi në fushën e vet edhe Egnatian dhe Tiranën. Për këtë arsye, dueli i radhës konsiderohet mjaft delikat për ekipin e Bellait.

Pas përballjes me Laçin, në program është ndeshja kundër Vllaznisë. Shkodranët nuk e kanë gjetur ende ritmin e plotë, ndërsa vijnë edhe pas humbjes 3-1 ndaj rrogozhinasve, por mbeten një skuadër që mund të krijojë probleme sapo të ndiejë rrezikun. Më tej, Vora do të përballet me Dinamon, ekipin ndaj të cilit e nisi sezonin me fitore dhe që mund të synojë të befasojë.


Shtuar më 19.10.2026 16:01