Haxhiu: Institucionet shqiptare t’i marrin seriozisht kërkesat e protestuesve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje institucioneve të Shqipërisë që të dëgjojnë me vëmendje dhe të trajtojnë seriozisht kërkesat e qytetarëve që protestojnë, veçanërisht ato të studentëve.

Të lidhura

None found

Haxhiu i bëri këto deklarata pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke nënvizuar se Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Shqipërisë duhet t’u kushtojnë rëndësinë e nevojshme shqetësimeve të protestuesve, përfshirë edhe problematikat e ngritura prej vitesh.

Ajo dënoi përdorimin e dhunës dhe kërkoi që kjo sjellje të ndalet nga të dyja palët, si nga protestuesit, ashtu edhe nga Policia. Sipas Haxhiut, institucionet duhet të veprojnë me seriozitet dhe të mos shfaqin arrogancë, pasi një qasje e tillë mund të përshkallëzojë më tej protestat.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës vlerësoi se situata duhet të kapërcehet përmes maturisë dhe përgjegjësisë, ndërsa ndasitë duhet të trajtohen në mënyrë të kujdesshme.

Lidhur me pretendimet për përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në protesta, Haxhiu sqaroi se kjo parti nuk ka bërë thirrje për pjesëmarrje. Ajo theksoi se LVV-ja nuk mund të mbahet përgjegjëse për vendimin individual të qytetarëve nga Kosova që kanë zgjedhur t’u bashkohen protestave.

Haxhiu shtoi se pjesëmarrja e qytetarëve në këto tubime nuk mund t’i atribuohet automatikisht LVV-së vetëm për shkak të mbështetjes që gëzon kjo parti.


Shtuar më 19.10.2026 13:29