Flota luksoze e Policisë së Dubait është zgjeruar me Lamborghini Temerario, një supermakinë që do të vihet në përdorim përmes bashkëpunimit me Lamborghini Abu Dhabi dhe Dubai.
Të lidhura
None found
Automjeti pritet të shërbejë jo vetëm për të demonstruar performancën e lartë, por edhe për të shtuar praninë e policisë në hapësirat turistike dhe për të afruar më shumë institucionin me banorët dhe vizitorët.
Me këtë shtesë, flota e veçantë e policisë së qytetit bëhet edhe më tërheqëse për turistët, ndërsa mbështet imazhin e Dubait si qendër e luksit, sigurisë dhe teknologjisë së përparuar.
Sipas Saeed Al Hajri, drejtor i Departamentit të Hetimeve Kriminale në Dubai, përfshirja e Lamborghini Temerario pasqyron synimin e qytetit për të ndërthurur sigurinë me shërbimin ndaj komunitetit.
Rëndësinë e automjeteve moderne dhe të partneritetit me sektorin privat e vuri në dukje edhe koloneli Mohammad Abdulrahman Abdulwahid, drejtues i Policisë Turistike. Ai theksoi se makinat e patrullimit angazhohen kryesisht në zonat me fluks të lartë dhe në destinacionet më të vizituara.
Lamborghini Temerario vjen me një pamje sportive, teknologji të avancuar dhe një sistem hibrid të fuqisë.
Nën kapak ndodhet një motor i ri V8, me vëllim 4.0 litra dhe dy turbina, i kombinuar me tre motorë elektrikë. Fuqia e përbashkët arrin në 907 kuaj fuqi, ndërsa përshpejtimi nga 0 në 100 km/h realizohet për vetëm 2,7 sekonda.
Performanca e saj e vendos Temerario-n mes mjeteve më të veçanta të flotës së Policisë së Dubait, ku bëjnë pjesë edhe disa nga makinat sportive më të njohura në botë. /Telegrafi/







