Këtë të hënë, në një konferencë për mediat, kryeministri Edi Rama, deklaroi se autoritetet nuk mund të negociojnë me persona që përdorin dhunën, duke mbajtur një qëndrim të prerë ndaj protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për sulmet ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët, sipas tij, janë të angazhuar për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Të lidhura
None found
“Me askënd që mban në dorë këtë nuk mund të negociohet. Nëse shteti hyn në negociata me të, atëherë shteti ka rënë. Sapo ai të dalë fitues, mënyra e tij e të menduarit shndërrohet në vetë shtetin. Shqipëria e ka përjetuar këtë skenar më shumë se një herë dhe pasojat kanë lënë plagë”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se vetëm një pjesë shumë e vogël e protestuesve manifestojnë në mënyrë paqësore. Sipas tij, vajzat dhe djemtë e rinj që marrin pjesë në protesta të tilla nuk po kërkojnë paqen.
“Ata janë idealizuar nën presionin e asaj force të errët që është shfaqur në Evropë dhe në SHBA, forcë të cilën presidenti Donald Trump e ka quajtur organizatë terroriste”, deklaroi ai.
Rama theksoi se kjo nuk nënkupton që të rinjtë, për të cilët tha se jetën e kanë të lidhur me TikTok-un, nuk janë të aftë të bëjnë gjëra të mira.
Megjithatë, sipas tij, ata shpesh nuk arrijnë të lidhin dot shtatë fjalë bashkë dhe janë përfshirë në këtë situatë.
“Janë nxënëse dhe nxënës, pa dyshim, por njëkohësisht janë bërë pengje të një fryme të re, e cila ka vetëm një qëllim: të shkatërrojë, të përmbysë gjithçka dhe ta rrafshojë atë me besimin se më pas mund të nisë gjithçka nga e para”, tha kryeministri.
Ai iu referua edhe kujtimeve të brezave më të rritur, të cilët kanë përjetuar periudhën kur, pas 50 vitesh iluzionesh, u besua se gjithçka duhej shkatërruar për t’ia nisur nga fillimi.
“Do ta konsideroja një fatkeqësi kombëtare nëse forcat e policisë, burra dhe gra, të gjithë ju që vishni uniformën dhe ndodheni këtu për të mbrojtur qytetarët, do të ishit nën sulm edhe nga ekranet”, përfundoi Rama.






