PDK sqaron raportimet për dorëheqjen e Bedri Hamzës: Ende nuk ka vendim zyrtar

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas raportimeve se Bedri Hamza është larguar nga posti i kryetarit, duke theksuar se deri tani nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për këtë çështje.

Të lidhura

None found

Zyra për Informim e PDK-së ka sqaruar se Hamza e ka bërë të ditur publikisht se do të largohet nga drejtimi i partisë vetëm pasi të nisë procesi i zgjedhjeve të brendshme, transmeton “Bota sot”.

“Nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje. Kryetari Hamza e ka bërë të ditur publikisht se, kurdo që hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të PDK-së për median.

Partia ka bërë të ditur se aktualisht është e fokusuar në përmbylljen e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, në fazën e apelit.

“Për çdo vendim dhe zhvillim zyrtar brenda partisë, do t’ju njoftojmë në kohën e duhur”, thuhet më tej në përgjigje.

Ndërkohë, disa media kanë raportuar se Bedri Hamza tashmë e ka informuar kryesinë e PDK-së për vendimin e tij për dorëheqje, ndërsa zyrtarizimi i saj mund të bëhet gjatë ditëve në vijim.

Sipas këtyre raportimeve, drejtimin e përkohshëm të partisë pritet ta marrë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Bashkë me kryesinë, ajo pritet të drejtojë përgatitjet për zgjedhjet e brendshme dhe Kuvendin zgjedhor të PDK-së, i cili, sipas raportimeve, mund të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Megjithatë, PDK-ja ende nuk i ka konfirmuar zyrtarisht këto zhvillime.


Shtuar më 18.10.2026 20:05