Komisioni Evropian dënon dhunën gjatë protestave në Shqipëri

Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me tensionimin e protestave në Shqipëri. Ai dënoi aktet e dhunshme në Tiranë dhe qytete të tjera, ndërsa bëri thirrje që autoritetet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe në mënyrë proporcionale.

Në deklaratën e publikuar të dielën, më 18 tetor, institucioni kundërshtoi zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe dëmtimin e pronës publike e private.

Të lidhura

None found

“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike”, theksohet në deklaratë. Komisioni nënvizoi se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë përmes procedurave të rregullta ligjore.

Brukseli rikujtoi gjithashtu se liria e shprehjes dhe e tubimit janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore.

Komisioni Evropian përshëndeti angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar të drejtën e qytetarëve për protestë, duke theksuar se këto liri duhet të mbrohen edhe gjatë menaxhimit të situatës.

Brukseli e lidhi mesazhin edhe me rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Sipas deklaratës, në një vend kandidat që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ka përparuar në këtë proces, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv e paqësor.


Shtuar më 18.10.2026 18:27