I biri u bë simbol i protestës, reagon gazetarja: Fëmijët i presim në shtëpi, jo t`i kërkojmë në spitale

Në një reagim në rrjetet sociale, gazetarja Brikena Metaj, ka reaguar për herë të parë pasi djali i saj u kthye në simbol të rezistencës së protestës, teksa pamjet e përleshjes së tij me gjashtë policë bënë xhirron e botës.

Ajo shpreh shqetësimi që ka pasur teksa ka parë videot se si djali i saj Klevi, mbahej nga një grup policësh teksa një tjetër e dhunonte, dhe më pas tërhiqte zvarrë.

Të lidhura

None found

Metaj thotë se ajo si edhe nënat e tjera, fëmijët i presin t’i kthehen në shtëpi dhe jo t’i kërkojë nëpër spitale.

Gazetarja gjithashtu, thekson rëndësinë e të protestuarit, duke dënuar njëkohësisht dhunën.

“Sot shkruaj si një nënë që ka parë videot e djalit të vet të gjakosur, i vetëm mes gjashtë policëve, pa pasur mundësi ta ndihmojë dhe t’i gjendet pranë, ndërsa zemra më dridhej.

Si mund ta durojë zemra e nënës skenën ku pesë policë e mbajnë djalin nga krahët, ndërsa tjetri e gjuan me shkop gome në kokë?

Mos godisni policët! Mos shkatërroni pronat që paguhen me taksat tona, me djersën dhe mundin tuaj e të prindërve tuaj! Edhe policët kanë nëna, kanë familje që presin kthimin e tyre në shtëpi.

Mos na i vrisni fëmijët! Asnjë protestë nuk duhet të na kushtojë jetën e tyre. Duam t’i presim të kthehen në shtëpi, jo t’i kërkojmë në spitale”,– shkruan gazetarja.

 


Shtuar më 18.10.2026 10:18