Zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetar të Komunës së Bërvenicës po zhvillohen sot në dhjetë vendbanime. Procesi u thirr pas vdekjes së ish-kryetarit të komunës, Jovica Ilievskit, më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare.
Të lidhura
None found
Votimi nisi në orën 07:00 dhe do të mbyllet në orën 19:00. Në listën zgjedhore janë të regjistruar 16,256 votues, përfshirë 449 persona që punojnë përkohësisht jashtë vendit dhe nëntë votues që ndodhen në burg ose në paraburgim.
Gara për postin e kryetarit përfshin gjashtë kandidatë, të propozuar nga katër blloqe politike, si dhe dy kandidatë të pavarur.
Stojanço Radiçeski garon si kandidat i koalicionit “Maqedonia Juaj”, të udhëhequr nga OBRM-PDUKM. Kandidat i koalicionit të udhëhequr nga LSDM është Jovica Radeski, ndërsa në garë janë edhe të pavarurit Dushan Bogdanovski dhe Arife Idrizi. Koalicioni VLEN përfaqësohet nga Jakup Useini, ndërsa Arkin Jahiji kandidon nga Aleanca Kombëtare për Integrim.
Detyrën e kryetarit të përkohshëm të komunës gjatë muajve të fundit e ka ushtruar Robert Millosheski.
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KZZ) pritet t’i publikojë rezultatet fillestare brenda shtatë orëve nga përfundimi i votimit, duke u bazuar në të dhënat e Komisioneve Zgjedhore (KZ). Ato do të afishohen në tabelën e njoftimeve të komunës dhe do të bëhen publike përmes mediave publike.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do të publikojë në mënyrë të njëpasnjëshme rezultatet fillestare të pranuara elektronikisht, ndërsa rezultatet e bazuara në të dhënat e procesverbaleve të KZZ-së do t’i shpallë brenda 12 orëve pas mbylljes së zgjedhjeve.







